Këshilltari kryesor i presidentit amerikan Donald Trump, Stephen Bannon është larguar nga Shtëpia e Bardhë.
Të premten Presidenti Donald Trump u tha zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë se kishte vendosur ta shkarkonte nga puna kryestrategun e tij, Steve Bannon, i cili ka qenë figura më e debatuar e administratës së tij në këta 6 muaj.
Bannon, i cili njihet si personi që e ndihmoi Donald Trumpin të siguronte fitoren në zgjedhje, gjatë këtyre muajve thuhet se kishte patur kontradikta me figura të tjera të fuqishme në ekipin e ndihmësve të Presidentit.
Disa mbështetës të zotit Trump i kishin bërë thirrje atij që ta shkarkonte zotin Bannon.
Steve Bannon që njihet për shpirtin e tij luftarak, tha se ai është përplasur çdo ditë në Shtëpinë e Bardhë për të avancuar pikëpamjet e tij radikale lidhur me tregëtinë në kuadër të motos “Amerika e para”.
Këto pikëpamje kundërshtojnë ato të disa këshilltarëve të tjerë, të cilët tentojnë të favorizojnë përpjekjet ekzistuese që vënë theksin tek bashkëpunimi shumëkombësh tregtar.
Gjatë një konference shtypi mbajtur këtë javë, presidenti Trump e vlerësoi zotin Bannon si një “person të mirë” dhe jo-racist, por ai shtoi se “mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me të”.
Sipas gazetës The New York Times, Bannon ka këmbëngulur se largimi nga Shtëpia e Bardhë kishte qenë ide e tij dhe se ai ja kishte paraqitur dorëheqjen Presidentit 11 ditë më parë, me synimin që ajo të bëhej e njohur në fillim të kësaj jave.
Por njoftimi u vonua, pas protestave të dhunshme në Sharlotsville të Virxhinias./VOA