Sport Lautaro kthen Interi te fitorja. Bayern merr barazimin e tretë

Lautaro kthen Interi te fitorja. Bayern merr barazimin e tretë

Pas humbjes së papritur ndaj Empolit në San Siro, Inter është kthyer te fitorja në Serinë A.

Zikaltërit fituan me përmbysje 2-1 në transfertë, ndaj Cremoneses, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e dytë të Serisë A, me 2 pikë më shumë sesa Milani.

Ndeshja nisi keq për të besuarit e Simone Inzaghit, me një gol të pësuar që në minutën e 11, nga Okereke. Por, ishte kapiteni Lautaro Martinez ai që shënoi dy gola (21’ dhe 65’), për t’i dhënë Interit 3 pikë të rëndësishme në Serinë A.

Mesfushori shqiptar i zikaltërve, Kristjan Asllani, u aktivizua në minutën e 67, duke zëvendësuar Çalhanoglun.

Barazimi i tretë radhazi me të njëjtin rezultat për Bayern

Ndërkohë, Bayern Munchen ka barazuar ndeshjen e tretë radhazi në Bundesligë me rezultatin 1-1.

Bavarezët e mbyllën pjesën e parë me avantazhin e një goli, pas rrjetës së Sane në minutën e 34-t, por në pjesën e dytë, francezi Kolo-Muani barazoi rezultatin në minutën e 69.

Me këtë pikë, Bayern ruan ende vendin e parë në renditje (37 pikë), por i ndjekur tashmë me vetëm një pikë më pak nga Union Berlin, që sot fitoi derbin ndaj Hertha 2-0.