Bota Lavrov e krahason SHBA-në me Hitlerin: Nëse do kishte Luftë të III...

Lavrov e krahason SHBA-në me Hitlerin: Nëse do kishte Luftë të III Botërore, do të ishte luftë bërthamore

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov thotë se nëse do të ketë një Luftë të III Botërore, atëherë do të jetë luftë bërthamore. Këtë deklaratë, Lavrov e bëri gjatë një konference për shtyp nga Moska, ku ju përgjigj deklaratave të liderëve të Perëndimit.

Për deklaratën e Biden se alternativa e vetme ndaj sanksioneve është një Luftë e III Botërore, Lavrov u përgjigj duke thënë se në rast të tillë do të ishte vetëm luftë bërthamore.

“Dua të theksoj se këto janë deklarata të politikanëve perëndimorë, po përsërisin luftën bërthamore, kjo nuk është në mendjen e rusëve. Nuk do të lejojmë që provokime të tilla të na shpërqëndrojnë. Por nëse ata fillojnë një luftë të vërtetë kundër nesh, atëherë duhet të mendojnë me kujdes”, tha Lavrov.

Ministri i Jashtëm i Rusisë e krahasoi SHBA-në me Hitlerin dhe Napoleonin.

“Amerikanët po u diktojnë gjermanëve se cila është mënyra më e mirë për sigurinë energjetike evropiane dhe thonë se nuk kanë nevojë për tubacionin e Nord Stream 2 dhe se energjia do të garantohet nga furnizimet nga SHBA, që është disa herë më e shtrenjtë. Ata përpiqen të na imponojnë pikëpamjen e tyre për të ardhmen e Europës. Napoleoni dhe Hitleri kishin objektiv që Europën ta kishin nën kontroll. Tani amerikanët e kanë vendosur Europën nën kontroll. Dhe po shikojmë se si kjo situatë ka treguar realisht se çfarë roli ka BE-ja në situatën globale”, u shpreh Lavrov.

Ai foli edhe për bisedimet me Ukrainën, duke thënë se Rusia do të ulet për të negociuar me kusht që të jetë palë e barabartë.

Lavrov u shpreh se beson që “histeria do të marrë fund”.