Bota Lavrov: Kievi të pranojë propozimet, ndryshe mendon ushtria. Pentagoni ka kërcënuar të...

Lavrov: Kievi të pranojë propozimet, ndryshe mendon ushtria. Pentagoni ka kërcënuar të vrasë Putinin

“Perëndimi po kërkon që të vrasë Vladimir Putinin dhe të rrezikojë krijimin e një lufte bërthamore”. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Akuza e kryediplomatit të Kremlinit është e radhës mes një sërë parashikimesh për 2023 nga njerëzit e afërt të liderit rus.

Lavrov u shpreh për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS se “zyrtarë anonimë” në Pentagon kanë plane që të tentojnë vrasjen e Putinit.

“Uashingtoni është përpara të tjerëve pasi disa zyrtarë anonimë nga Pentagoni ka shprehur kërcënime për një goditje të mundshme në Kremlin që në fakt është një tentativë për vrasjen e presidentit rus.”

Po ashtu, kryediplomati rus paralajmëroi se nëse ka persona që i përhapin këto ide, “atëherë ata persona duhet të mendojnë edhe për pasojat.”

Më tej, Lavrov tha se Ukraina duhet të përmbushë propozimet e Moskës në lidhje me “territoret e tyre të reja” ose ushtria ruse do të ndërmarrë veprime, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

“Armiku është i vetëdijshëm për propozimet tona për çmilitarizimin dhe denazifikimin e territoreve të kontrolluara nga regjimi dhe eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë ruse prej andej, duke përfshirë territoret tona të reja (DNR, LNR dhe rajonet Kherson dhe Zaporozhye)”. Lavrov tha, duke përsëritur akuzat e rreme të nazizmit kundër Ukrainës, të përdorura nga Moska në një përpjekje për të justifikuar pushtimin e saj. “Ka mbetur vetëm një gjë për të bërë: t’i përmbushni ato para se të jetë tepër vonë. Përndryshe, ushtria ruse do t’i marrë gjërat në duart e veta”.

Rusia pretendon kontrollin mbi katër rajonet e Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson pas referendumeve të rreme në shtator, të kritikuara gjerësisht nga Kievi dhe qeveritë perëndimore si shkelje të ligjit ndërkombëtar, shkruan CNN.

Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin pranoi se situata në katër territoret e pushtuara ishte “jashtëzakonisht e ndërlikuar”, një dritare e rrallë në sfidat me të cilat përballet Moska në zonat që ka tentuar të aneksojë ilegalisht.