Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pritet të vizitojë Beogradin më 7 qershor. Mediat serbe raportojnë se në takimin me presidentin Aleksandër Vuçiç do të jenë në tavolinë të gjitha temat e nxehta, nga ngjarjet në Ukrainë dhe qëndrimi i Serbisë ndaj kësaj krize, deri te situata në rajon.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë rus në Serbi që nga shpërthimi i krizës ukrainase dhe vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po përgatit paketën më të ashpër të sanksioneve, të cilave Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i është bashkuar deri tani.
Gazeta serbe Novosti shkruan se ardhja e Lavrov do të jetë një mundësi për të sqaruar më tej qëndrimin e Moskës për Kosovën, duke pasur parasysh deklaratat e fundit të presidentit Vladimir Putin dhe zyrtarëve të tjerë rusë, të cilët e krahasuan situatën në Donbas me provincën jugore serbe.
Temë diskutimi pritet të jetë edhe Bosnja dhe Hercegovina dhe presionet ndaj Republika Srpska lidhur me sanksionet e vendosura nga Sarajeva ndaj Rusisë pas nisjes së luftës në Ukrainë.