Portieri shqiptar i Lazio-s, Thomas Strakosha, vijon të marrë vlerësime nga shumë figura të njohura të futbollit italian apo edhe nga media prestigjioze përtej Adriatikut. Këtë herë është vetë klubi bardhekaltër që i kushton “gardianit” kuqezi një material në faqen zyrtare të Lazio-s, duke u mburrur me gjithçka ka bërë Strakosha në kuadratin e skuadrës kryeqytetase.
“Kanë kaluar shumë kohë nga momenti kur portieri i ri shqiptar bëri debutimin e tij në ‘La Scala’-n e futbollit italian, kundër Milan-it në shtator të vitit 2016. Momenti negativ që po kalonte portieri Marchetti, e detyruan trajnerin Inzaghi-n që të besonte tek ai dhe ta hidhte në fushë. Përgjigjja e tij në fushë ishte pozitive dhe inkurajuese, pavarësisht humbjes, Thomas transmetoi siguri në repart.
Tregoi se kishte karakterin e duhur për të bërë hapin e madh drejt Serie A. Nga ai moment dhe deri tani, portieri shqiptar ka koleksionuar 51 ndeshje në total me skuadrën e parë duke bërë pritje madhështore, duke u rritur në mënyrë shpërthyese dhe duke siguruar përfundimisht, pa asnjë diskutim, fanellën e titullarit.
Në shtator të vitit 2017 pati mundësinë të debutonte edhe në Europë, në Holandë kundër Vitesse-s. Golat që ka pësuar në total janë 63, ndërsa portën e ka mbajtur të paprekur në 15 raste. Me një sens pozicionimi, me gjakftohtësinë e tij, ka arritur të shkëlqejë. Këto të dhëna të lindura, por të edukuara dhe të kuruara me kujdes nga përgatitësi i portierëve Adalberto Griggioni.
Nuk ka frikë nga asgjë dhe di gjithmonë ku të vendoset mes dy shtyllave, gjë që i bën akoma më të vlefshme cilësitë e tij teknike. Hera e fundit kur shpalosi vlerat e tij ishte kundër SPAL-it, kur doli shumë shpejt dhe me dorën e vendosur në tokë bllokoi topin në vijën fatale, duke shpëtuar një gol të sigurt.
Por, pritjet e tij janë të shumta me fanellën e Lazio-s. E jashtëzakonshme, e mrekullueshme dhe entuziazmuese ishte pritja e penalltisë së Dybala në Torino, duke i dhënë skuadrës së Lazio-s një fitore të paharrueshme në minutat shtesë.
Kundër Juventus-it gjithashtu festoi trofeun e parë, Superkupën e Italisë, në një ndeshje që u zhvillua në “Olimpico” më 13 gusht. Në sezonin e kaluar bën mrekulli kundër Linnettit të Sampdoria-s, duke treguar se di ta bllokojë portën më shpejt se sa sulmuesi të mendohet ku do ta dërgojë topin. Por, ishte i mrekullueshëm edhe në derbin e kthimit në kampionat, kur Lazio fitoi 3-1 dhe kur rezultati ishte 1-1, Strakosha shpëton portën nga kërcënimi i Dzeko-s.
Kundër Interit në këtë sezon, ‘blindon’ portën nga një goditje e Perisiç, ndërsa në Bergamo shpëton me këmbë një gol të sigurt të Gomez. Një repertor me pritje, me një fund të tillë: Strakosha është efikas, i vazhdueshëm, i pastër dhe i akullt. Numri një shqiptar është vetëm 22 vjeç, por ka shumë dëshirë për të mësuar dhe është i ndërgjegjshëm që tani nuk po luan për t’i treguar askujt seriozitetin e tij” – shkruan klubi i Lazio-s në faqen zyrtare.