Liderja e së djathtës franceze, Marine Le Pen, premtoi se nëse fiton zgjedhjet presidenciale, do të tërheqë forcat e armatosura nga komanda e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Por ajo tha se do të vazhdojë të respektojë një pakt kyç të NATO-s sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari të aleancës ushtarake shihet si një sulm ndaj të 30 anëtarëve.
Politikania e ekstremit të djathtë bëri thirrje për një “afrim strategjik” midis palëve, pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
Sipas saj, Franca nuk do t’i nënshtrohet protektoratit amerikan. Ajo shtoi se mbështet idenë e afrimit me Rusinë.
“Kur të përfundojë lufta në Ukrainë dhe të vendoset paqja, unë do të avokoj për një afrim strategjik midis NATO-s dhe Rusisë. Kjo është në interes të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.
Ajo gjithashtu tha se nuk dëshironte që Franca të largohej nga Bashkimi Evropian dhe shtoi se do të respektonte Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike, raporton Reuters.
Le Pen do të përballet me Emmanuel Macron për presidencën në balotazhin e zgjedhjeve më 24 prill. Disa e kanë akuzuar Le Pen si shumë të afërt me Rusinë. Ajo e ka dënuar publikisht pushtimin e Ukrainës, por ka vizituar presidentin Putin përpara zgjedhjeve të mëparshme franceze në 2017. Partia e saj po ashtu ka përdorur edhe hua ruse.