Rafael Leao është futbollisti i momentit te Milani. Pasi shkëlqeu në ndeshjet çerekfinale ndaj Napolit në Champions League, portugezi ka mposhtur me dy gola Lecce-n në Serie A këtë të diel.
Kuqezinjtë e dominuan takimin, por hasën vështirësi për të çarë mbrojtjen e ngjeshur të kundërshtarit, i cili kërkonte pikë për mbijetesën.
Megjithatë, për të zhbllokuar sfidën mendoi Leao, i cili realizoi me kokë në fundin e pjesës së parë pas një asisti perfekte nga Tonali. Goli i dytë ishte një kryevepër e 23-vjeçarit, i cili e mori topin në mesin e fushës dhe pasi u fut në zonë me shpejtësinë e tij karakteristike e realizoi golin që e vulosi fitoren e kuqezinjve.
Me këtë fitore, Milani shkon në kuotën e 56 pikëve, por mbetet në vendin e pestë me pikë të barabarta me Romën, e cila do të luajë të hënën në transfertë ndaj Atalantës.