Bashkë me këngën, për këtë kolos të labçes, më erdhën ndërmend çaste shumë mbresëlënëse, të cilat janë të fiksuara fort në kujtesën time!
Ishte qershori i vitit 1980-ë, kur festohej 60-vjetori i luftës së madhe të Vlorës, e cila organizohej edhe në Salari, në ditën e rënies së heroit të popullit, Selam Musa Salaria.
Në këtë festë, erdhi dhe Lefter Çipa së bashku me grupin e tij të Pilurit dhe me Maliq Lilën, mik e bashkëpunëtorë të hershëm me njëri-tjetrin. Nga rruga nacionale e deri në Salari, erdhën në këmbë, pasi në atë kohë, nuk ishte e bërë rruga dhe mbasi vendosën kurorat me lule tek busti i Heroit, iu drejtuan vreshtave me hije, që ndodheshin në mesë të pemëve.
Aty ishte mbledhur i gjithë populli i Salarisë e me gjerë. Në atë festë, ndodhej prej ditësh edhe vlonjati, Shefqet Musarai së bashku me të shoqen e tij, Ervehen kuçiote, të cilët kishin ditë që rrinin në shtëpinë tonë, pasi kjo miqësi është e hershme, e cila fillon nga miqësia e Halim Xhelo Terbaçi Vllemer me Selam Musan, të cilët i lidhte ideali për të çliruar kombin, nga hallet që përjetonte në atë kohë. Miqësia forcohej akoma më shumë, pasi Shefqeti njihej edhe me tim vëlla, Novruzin, i cili njihej si poet dhe shkrimtar, në atë kohë.
Pritja madhështore, e cila më ka ngelur thellë në kujtesë dhe më kanë shoqëruar përgjatë gjithë kohës, është ajo që iu bë, Lefter Çipës dhe grupit të tij të Pilurit, të cilët u pritën me krahë hapur, duartrokitje të zjarrta, brohorima e këngë, sa që buçiste vendi dhe oshëtinte mali!
Për herë të parë, aty u këndua “… o Selam xhamadan bardhi, ngrehu se na mori malli…”, krahas qindra këngëve të kënduara, që nga Vaçe Zela me vargjet e poetit Agim Shehu, Anita Take, Irini Qiriaqi e shumë këngëtarëve të tjerë të mirënjohur.
Pilurioti Lefter Çipa, ngeli njeri shumë i dashur për Salarinë. Ai, do të vazhdojë të qëndrojë i gjallë, në çdo gëzim; me këngën e tij të madhe, e cila do të trashëgohet ndër breza, pasi kënga labe rrjedhë që nga lashtësia dhe e ka fituar përjetësimin!
Në emër të fshatit Salari, marrim pjesë në hidhërimin që po përjeton familja Çipa, edhe pse trashëgimia që na ka lënë Lefter Çipa, e ka përjetësuar, si një ndër shenjtorët e thesarit të këngës së Labërisë!
Dr. Sefer Shehu
Kryetar i kuvendit Salariot