Zbardhet dëshmia e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhënë për herë të parë në sallën e gjyqit.
Ndër të tjera Koka shprehet se procesi dhe gjyqi ndaj tij është i manipuluar, ndërsa akuzoi ish-partinë e tij dhe Ilir Metën se kanë orkestruar procesin ndaj tij. Koka në deklaratën e tij, shprehet se e vërteta dhe pafajësia e tij do të triumfojë.
“Një e vërtetë e thënë përgjysmë është e pavërtetë. Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për dy vite nuk më mori në pyetje asnjëherë. Unë si ministër, Sekretari përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikmëri ligjin. Bëmë punën më të mirë dhe shërbyem me devotshmëri. Është kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë s’i kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time! Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s’më bëri politika biznesmen. Po kthehemi 45 vite para në proceset e stisura të sistemit komunist. Është një alarm jo vetëm për mua, por për të gjithë shoqërinë. Ky proces është i manipuluar fund e krye, besoj se e vërteta do të triumfojë. Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve, ata nuk i solla unë por erdhën si propozim nga bota e biznesit. Prokurori devijoi hetimet dhe fraksionojë dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia më herët sesa vonë do të dalë. Intriga e këtij procesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimor ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata një javë më parë. Akuza pësoi mutacione për ti qëndruar besnike kallëzimit të LSI. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt”, tha ndër të tjera Koka në sallën e gjyqit
Koka shpërtheu në akuza të forta ndaj ish-partisë ku bënte pjesë. Ai tha se prej 2 vitesh sulmohet politikisht nga ish-partia e tij. Ish- Presidentin Ilir Meta e quajti fuks dhe ish-sigurims, dhe që sipas Kokës ka orkestruar procesin ndaj tij. Më tej Koka akuzoi se ish- Presidenti fliste “në mejhane duke thënë se do të arrestohet Lefter Koka”.
Përveç argumenteve të mësipërme avokati i Kokës i kërkoi gjykatës të mbajë parasysh disa rrethana lehtësuese, si parrezikshmërinë shoqërore, gjendjen e rënduar shëndetësore, faktin që ka tre fëmijë, faktin që ka qenë në dispozicion të drejtësisë.
“Klienti im u arrestua në banesën e tij, ndonëse operacioni i arrestimit u dekonspirua dhe tre nga të pandehurit mundën të largohen”, tha avokati i Lefter Kokës.
Lefter Koka akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion” për aferën me inceneratorët.