Aktualitet Lefter Koka kërkon lirinë, ankimon masën e sigurisë: Çështja ka ngjyresa politike

Lefter Koka kërkon lirinë, ankimon masën e sigurisë: Çështja ka ngjyresa politike

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit, vendimin e shkallës së parë, për ta lënë në burg, si të akuzuar për disa vepra penale në lidhje me procedurat e tenderimit të inceneratorit të Elbasanit.

Data e shqyrtimit të kërkesës së Kokës nuk është caktuar ende, por gjykatësi kryesues i çështjes është emëruar Dhimitër Laro. Koka po hetohet për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsioni” dhe “pastrimit të parave”, të kryera sipas SPAK gjatë procedurës tenderuese për iceneratorin e Elbasanit.

Përmes deklarimeve të avokatit të tij, Koka pretendon se nuk ka përgjegjësi ligjore, dhe se çështja ka ngjyresa politike. Por sipas SPAK, në cilësinë e ministrit të Mjedisit, Koka ka shkelur ligjin gjatë procedurës për dhënien me koncesion të iceneratorit të Elbasanit tek shoqëria “Albtech Energy” dhe se ka përfituar gati 3,7 milionë euro ryshfet.

GJKKO lëshoi fletë arreste edhe për biznesmenët Klodian Zoto e Stela Gugallja, administratorët e shoqërisë që mori koncesionin dhe asaj që zbatoi punimet, të cilët ende nuk janë gjetur nga policia.