Aktualitet Legalizimi i kanabisit, Crawford: Nxit punësimin dhe ia heq nga duart mafias

Legalizimi i kanabisit, Crawford: Nxit punësimin dhe ia heq nga duart mafias

Ish-presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford deklaroi se legalizimi i kanabisit, përveç përfitimit në trajtimin e pacientëve do të kishte edhe efekt pozitiv në ekonomi, ndërsa do të hiqte nga duart e mafies kultivimin e tij.

Crawford në një intervistë në media thotë se legalizimi i kanabisit ridrejton problemin dhe ajo që tani është në të zezë, duke filluar nga punësimi përkthehet në taksa më pas.

Ish-kreu i AmCham shprehet se kishte kërkuar legalizimin e kanabisit para 6 vitesh, kur në Amerikë ishte vetëm në fillimet ky proces.

“Sot kemi 33 shtete në Amerikë që kanë legalizuar kanabisin, jo vetëm mjekësor, por edhe personal. Sipas përvojës kemi parë që ka vlerë për ata që kanë disa sëmundje”, tha ai.

Sipas Crawford, është më mirë që kultivimi i kanabisit të legalizohet dhe të kontrollohet, duke e shfrytëzuar edhe në aspektin ekonomik, pasi është e vështirë të zerohet mbjellja dhe trafikimi i tij.

“Është më mirë të kontrollohet pasi sjell përfitim ekonomik, sepse ideja që do të shmangim këtë, zero nuk ekziston. Për mua është diçka që Shqipëria mund ta bëjë, duhet kujdes, por është pozitive”, shprehet Crawford.

Në aspektin ekonomik, Crawford thekson se ende nuk e ka të qartë si do të lejohet kultivimi, nëse do të lejohet vetëm për vendin apo eksportin, apo kufizuar me licencë, apo për të gjithë me sasi të vogla.

Por, vijon ai, kur fillohet edhe me licencë, është diçka pozitive, është një plus. Është diçka që është duke ndodhur por thjesht shteti nuk merr përfitimet që i takojnë përmes taksimit. Në këtë mënyrë, shprehet ai, mund ta nxjerrim nga duart e mafias.

“Legalizimi nuk do të thotë rritje e përdorimit, por ulje, pasi njerëzit e shikojnë nga pikëpamja ekonomike. Ata që janë kundër përdorimit të drogës nuk duhet të jenë kundër legalizimit. Duke filluar nga kanabisi për mjekësi është diçka pozitive”, deklaroi Crawford.

I pyetur nëse ka Shqipëria infrastrukturën për ta kontrolluar, Crawford thotë se ne e dimë që është vështirë të kontrollohet, e kemi parë edhe situatën në Lazarat. Ndaj, thotë ai, duhet ta trajtojmë në një mënyrë më pozitive.

Lidhur me përfitimet që mund të ketë Shqipëria dhe si ka ndikuar në Amerikë legalizimi i kanabisit, Crawford shprehet se ka pasur efektive pozitive, janë mbledhur disa miliarda në disa shtete nga taksat.

Crawford shprehet se legalizimi i kanabisit mund të sjellë ndikim edhe në punësim. ”Asnjë sektor nuk është shpëtim, por një plumb për të gjuajtur te problemet ekonomike. Ka pasur shumë punësim edhe në Gjirokastër, por edhe në Tepelenë, Dukagjin dhe Vlorë, por ishte punësim në të zezë, por pse mos ta legalizojmë, të paguajnë taksa, të jenë në sistem. Pra që të jenë brenda sistemit”, deklaroi ai.

Crawford thotë se është tabu, pasi njerëzit mendojnë se po legalizohet droga. “Unë e ndava legalizimin me përdorimin. Në botë kemi parë shumë përvoja, në Singapor kanë thënë se do ju vrasim, në zona të tjera, p.sh në Amerikë kemi ushtri dhe polici, por edhe ne nuk e shmangim dot. Në fillim edhe unë isha kundër”, thotë ai.

Lidhur me situatën ekonomike pas COVID-19, Crawford shprehet se Shqipëria ka dalë më shpejt se disa vende të tjera nga kriza e shkaktuar nga ky infeksion.

“Në Amerikë reagimi është copë-copë, çdo shtet është ndryshe. Shqipëria ka vepruar mirë, ne jemi duke hapur fazat, por ende nuk kemi parë një valë të dytë, shpresoj se do ta kemi kaluar këtë krizë më mirë se të tjerat. Besoj se do ta kalojmë, në fund të verës do të kemi disa elementë pozitive”, tha ai.