Opinione Legalizimi i kanabisit duhej bërë me kohë

Legalizimi i kanabisit duhej bërë me kohë

Së shpejti në Gjermani do të jetë legal përdorimi i kanabisit. Me këtë qeveria e re do të hedhë një hap të madh – larg ideologjisë së dëmshme, drejt realitetit shoqëror, mendon Matthias von Hein.

Për të shpjeguar arsyen dhe absurditetin e ndalimit të kababisit dua t’ju ftoj për një eksperiment mendimesh: përfytyroni, sikur shkoni në një supermarket dhe doni të blini alkool. Por raftet janë të mbushura vetëm me shishe pa etiketë. Në rastin më të mirë forma e shishes mund të të japë informacionin për lëndën që përmban ajo brenda vetes. Ndoshta është një whiskey 20 vjet i vjetër, ndoshta një birrë bajate, ndoshta një pije alkoolike e bërë vetë, që të marrin mendjen. Kësaj shtoi edhe faktin që ky supermarket ndodhet në një nga zonat më të errëta e më të rrezikshme të qytetit.

Që me një sistem i tillë tregtimi nuk i ndihmon askujt, kjo është evidente – as shëndetit të popullsisë në përgjithësi dhe aq më pak mbrojtjes së rinisë. Por në mënyrë të ngjashme paraqitet situata për konsumatorët e kanabisit. Nga sondazhet në Gjermani dihet, që një e treta të paktën e kanë konsumuar njëherë në jetë drogën ilegale; Kanabisi është droga më e përhapur. Deri tani legjislacioni i vjetëruar detyron këdo që do ta konsumojë kabanisin, që të furnizohet në tregun e zi të pakontrollueshëm e që është në dorë të kriminelëve. Nuk ka asnjë kontroll për cilësinë, përmbajtjen e përbërësve aktivë, përzierësit dhe holluesit, ndërkohë që krimi i organizuar majmet prej xhiros së fitimeve.

Lufta kundër drogave është një luftë kundër përdoruesve të tyre. E po ashtu edhe dënimet nëse i referohesh të dhënave të fundit për gjendjen me kriminalitetin e drogave nga Zyra Federale e Kriminalistikës mëson, se nga gati 400.000 vepra penale me drogat tre të katërtat janë regjistruar si “krime që kanë të bëjnë me konsumin”. Vetëm kjo shifër tregon, se lufta kundër drogave edhe në Gjermani është kryesisht luftë kundër përdoruesve të tyre. Një luftë me dëm të konsiderueshëm kolateral, që nuk mund të fitohet. Se sa absurd është objektivi për një shoqëri pa droga, këtë e dëshmon fakti, se edhe në shtetet totalitare apo nëpër burgje gjendet drogë. Argumentat e politikës së ndalimit tingëllojnë ngjashëm, sikur politikanët e shëndetësisë t’i varnin shpresat vetëm tek abstinenca në luftën kundër sëmundjeve që vijnë përmes seksit apo infeksionit HIV. Sigurisht që kjo mund të jetë mbrojtja më e mirë prej infektimit. Por askush nuk do të jetojë në abstinencë seksuale. Sensibilizimi dhe shpërndarja e prezervativë kanë më shumë efekt.

Ndaj është një lajm i mirë, që negociatorët për krijimin e qeverisë së re, që do të krijohet nga koalicioni tresh mes socialdemokfratëve, ekologjistëve dhe liberal-demokratëve, si duket kanë rënë dakord për ta legalizuar dhe rregulluar përdorimin e kanabisit. Ky hap pritej, sepse pozicionet e ekologjistëve, liberal-demokratëve dhe socialdemokratëve kanë qenë relativisht të përafërta lidhur me këtë temë. Ky vendim shënon heqjen dorë prej dogmave të vjetra dhe pranimin e një realiteti kompleks. E ky realitedt është, se pavarësisht ndalimit – kanabisi përdoret në masë – pikërisht edhe prej të rinjve, të cilët synojnë t’i mbrojnë ata që ndjekin politikën e ndalimit të kanabisit. Kanabisi prej kohësh ka mbërritur në shoqërinë gjermane. Një politikë moderne ndaj drogave përpiqet të komportohet në mënyrë  inteligjente me këtë situatë ekzistuese. Ajo nuk i kriminalizon konsumuesit, por i mbron ata; ajo krijon sensibilitet, ofron ndihmë në rast nevoje. Natyrisht që kanabisi nuk është pa rreziqe. Si çdo substancë tjetër e fortë edhe kanabisi bart rreziqe dhe ka efekte anësore. Megjithatë njerëzit mund të mësojnë të mbrohen prej këtyre rreziqeve; ata mund të fitojnë kompetencë ndaj kësaj droge, ngjashëm sikurse shumë ia dalin me alkoolin, edhe shumica e konsumatorëve të kanabisit do të gjejnë mënyrën si të mbrohen. Kjo kompetencë krijohet më së miri në një mjedis, që nuk karakterizohet prej tabuve dhe ndëshkimit. Duke mos i damkosur drogat në mënyrë shabllone, por duke i pranuar ato me një dijeni të kthjellët mbi rreziqet: ato kanë edhe efekte pozitive –  shijen, përftimin e njohurisë, ekstazën, shërimin. Qëllimi është minimizimi i rrezikut.

Masat preventive financojnë vetveten

Ndaj nisma për legalizimi është e drejtë, jo vetëm për ta dekriminalizuar konsumin. Por përdoruesit e kanabisit duhet që të kenë edhe një mundësi legale për ta poseduar substancën. Edhe unë si baba i tre fëmijëve them: më mirë, tregtuesi të jetë shteti ose biznese të kontrolluara prej tij, se sa pjesëtarët e krimit të organizuar. Legalizimi do të krijojë edhe mundësinë e financimit për programet masive të parandalimit dhe të ndihmës. Një studim i Universitetit të Dyseldorfit ka llogaritur, se të ardhurat nga taksat e kanabisit si dhe kursimet nga ndërprerja e masave të ndjekjes penale sjellin një shumë prej gati pesë miliardë eurosh në vit./DW