Pritet vetëm zyrtarizimi, por tashmë dihet që Gigi Buffon ka vendosur që ta mbyllë me futbollin e luajtur.
Mediat italiane kanë konfirmuar se portieri italian ka marrë vendimin dhe tashmë do ta komunikojë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe një konference për shtyp.
Në moshën 45-vjeçare, portieri i njohur italian, i cili ka bërë emër me skuadrat e Parmës, Juventusit (u kthye në legjendë) dhe PSG-së, ka vendosur të varë dorashkat në gozhdë dhe ta mbyllë me fushën e lojës më një sport ku është kthyer në një nga emrat ikonë dhe vlerësohet ndër më të mirët e historisë.
Buffon në fakt kishte edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Parmën, por mes palëve është gjetur lehtësisht akordi që portieri ta mbyllte këtu.
Një karrierë që nisi te Parma në vitin e largët 1995 dhe mbyllet po në të njëjtin klub pas 28 vitesh.
Pjesën më të madhe të karrierës ai e kaloi te Juventusit, nga viti 2001, deri në vitin 2021, duke fituar trofe të shumtë në Itali, por ku kulmi për të do të mbetet gjithmonë suksesi me fanellën e kombëtares Italiane në Botërorin 2006.
Tanimë mbetet të shihet se ky do të vazhdojë ai karrierën e tij, pasi ka marrë propozime të ndryshme, ku më interesanti është padyshim roli i kreut të delegacionit të përfaqësues së Italisë, vend që ka mbetur vakant pas ndarjes nga jeta të Gianluca Viallit.