Pas “Dyrrah City Football Academy”, e lindur në një binjakëzim me kampionët e Premier Ligës, Manchester City, për të trajnuar brezat e rinj të futbollit shqiptar, në Durrës do të kemi edhe një nga akademitë më të njohura të tenisit.
Legjenda spanjolle e këtij sporti, Rafael Nadal, së bashku me kryeministrin Edi Rama kanë njoftuar planin për hapjen e kompleksit Qendra Sportive Rafa Nadal në Shqipëri, rreth 30 km nga Tirana.
Kompleksi multi-sportiv do të zbatojë metodologjinë e trajnimit të Akademisë Rafa Nadal by Movistar, e cila nisi të funksiononte në nëntor 2014, kur fondacioni me të njëjtin emër hapi akademinë e parë në Manacor.
Qendra Sportive Rafa Nadal në Shqipëri do të ketë 12 fusha tenisi, 6 fusha padel, një fushë multi-sportive, një palestër dhe zonë Wellness, një pishinë dhe një zonë restoranti. Përveç kësaj, do të ketë një dyqan dhe një muze me disa nga trofetë e Rafa Nadal dhe objekte të tjera të dhuruara nga atletë të mëdhenj për tenistin nga Madridi.
Qëllimi kryesor i kësaj dege të akademisë është të zhvillojë dhe të promovojë tenisin në Shqipëri përmes angazhimit të Nadal dhe ekipit të tij.
“Jemi shumë të lumtur të njoftojmë ndërtimin dhe hapjen e një qendre në Shqipëri. Projekti është i jashtëzakonshëm dhe ne na pëlqeu vizioni i vendit për promovimin e sportit dhe vlerave të tij. Jam i sigurt se do të ketë sukses”, tha Nadal.
Sakaq, kryeministri Rama konfirmoi se kompleksi i ri do të vendoset pranë qendrës së re të futbollit të Manchester City.
“Ka shumë kampionë dhe profesionistë të mëdhenj në botën e sportit, por nuk ka shumë kampionë të jetës dhe të vlerave njerëzore si Rafa. Nga larg, gjithmonë kam pasur përshtypjen se Rafa ishte një njeri i madh, por tani kam edhe më shumë admirim për modestinë e tij dhe mënyrën se si ai i qaset jetës. Mendoj se vlera e kësaj qendre do të qëndrojë jo vetëm në të mësuarit e tenisit apo sporteve të tjera, por edhe në të ndihmuarit e fëmijëve dhe të rinjve për të kuptuar se sa e rëndësishme është të jesh një profesionist dhe një person i mirë.”