Kuriozitete Legjendat kineze të nefritit

Legjendat kineze të nefritit

Ari mund të jetë monedha më e njohur ndërkombëtarisht, por brenda kontekstit të kulturës mijëravjeçare kineze, nefriti është pafundësisht më i çmuar. Ka një thënie të lashtë kineze sipas së cilës “ari mund të ketë një vlerë, por nefriti është i paçmuar”.

Në Kinën e 8 000 vjetëve më parë, nefriti shihej si i krijuar nga bashkimi i thelbeve të qiellit dhe të tokës, e për rrjedhojë si i shenjtë. Roli i tij mbizotërues në historinë dhe kulturën kineze e bën nefritin dhe mjeshtërinë e përdorimit të tij një simbol të qytetërimit kinez. Teksa parahistoria perëndimore është kronologjikisht e përbërë nga epoka e gurit, e hekurit dhe e bronzit, parahistoria e Kinës, mbështetur në objektet arkeologjike, ndahet në epokat e armëve prej guri, nefriti dhe bronzi. Gjatë dinastive Shang (1600 -100 p. e. s.) dhe Zhou (770 ? 256 p. e. s), shpatat tehgjera dhe alebardët shiheshin si simbolet e pushtetit.

15 qytete për një copë nefriti

Nefriti He është më i famshmi në Kinë. Historia e tij shkon deri në vitet 700 p. e. s., kur një burrë i quajtur Bian He nga shteti i Çusë vuri re një feniks që qëndronte në majën e një mali brenda atij që tani është rezervati natyror i Shennongjia-së. Ai ishte i bindur se në mal ishte i fshehur një thesar, sepse “feniksi zbret vetëm mbi gurët e nefritit”, sipas mitologjisë kineze. Pasi gërmoi në majën e malit, Bian He gjeti një pjesë të madhe nefriti të paprerë, të cilin ia tregoi mbretit Li të shtetit Çu. Por kur monarku thirri një zejtar nefriti për të vërtetuar njëmendësinë e gurit, i ashtuquajturi “specialist” e gjykoi atë si të pavlerë. Bian He-ja u dënua për këtë duke i prerë këmbën e majtë. Pas zëvendësimit të mbretit Li në fron, Bian He-ja ia dha thesarin e tij sundimtarit të ri, por me të njëjtin rezultat, dhe kështu humbi edhe këmbën e djathtë. Bian He e mori atëherë thesarin e tij te porta e pallatit dhe qëndroi atje, duke qarë hidhurazi, për shtatë ditë e net. Mbreti Wen dërgoi dikë për të parë se përse po vajtonte Bian He, sepse gjymtimi asokohe cilësohej një dënim i lehtë. Bian He u përgjigj se nuk qante humbjen e këmbëve të tij, por i therrte në zemër që dhurata e çmuar që donte t’i jepte mbretit të tij u mor gabimisht vetëm për një gur të thjeshtë e ai u pa si mashtrues. Mbreti Wen urdhëroi që shkëmbi të pritej e atëherë doli jashtë nefriti i pastër. Ai u quajt nefriti He për nder të besnikërisë së Bian He-së dhe u vlerësua aq shumë, saqë mbreti Wen ishte i gatshëm të jepte 15 nga qytetet e tij në këmbim të thesarit përrallor.

Këmbëngulja e Bian He-së për t’ia dorëzuar thesarin të vetmit zotërues që sipas tij e meritonte atë, perandorit, pasqyron sa të dhënë ishin kinezët pas nefritit dhe konceptit të besnikërisë.

Nefriti si ndërmjetës

Për më shumë se 1 mijëvjeçar pas kohës kur jetoi Bian He-ja, nefriti mbeti simbol i fuqisë së epërme në Kinë. Pas bashkimit të Kinës, perandori i parë i dinastisë Qin i urdhëroi zejtarët të bënin me nefritin He një vulë ku të ishin të gdhendura tetë karaktere që e shpallnin pronarin e saj si zotërues të “Mandatit të Qiellit, jetëgjatësisë dhe përparimit të përjetshëm”, me fjalë të tjera i fuqisë absolute perandorake.

Meqë besohej se mishëronte thelbin e qiellit e të tokës, nefriti përdorej si mjet komunikimi ndërmjet shamanëve dhe zotave.

Një ritual që duhej të bënte çdo perandor me marrjen e postit ishte ai i ngjitjes në majën e një mali të njohur dhe i flakjes prej andej të fletëve të gdhendura të nefritit, duke njoftuar zotat e malit për hipjen në fuqi të tij. Kur perandori ishte i sëmurë, shamani i tij shkonte në mal e hidhte poshtë fletë nefriti ku ishin gdhendur lutje për shërimin e monarkut.

“Më mirë një copë nefriti sesa një tullë e plotë argjili”

Në proverbat kineze, nefriti është një metaforë e shpeshtë për nderin e virtytin. Secila syresh e ka zanafillën në një gojëdhënë.

Proverbi “Më mirë një copë nefriti sesa një tullë e plotë argjili” e ka burimin në vitin 550, kur perandori Xiaojing i dinastisë Wei Lindore u përmbys nga kryeministri i tij Gao Yang, i cili më pas krijoi dinastinë Qi veriore. Pas një viti Gao Yang e vrau perandorin Xiaojing dhe 3 djemtë e tij. Vitin e dhjetë pas zaptimit të fronit nga Gao Yang ndodhi një eklips diellor, një shenjë e keqe në Kinën e lashtë. I frikësuar se kjo dukuri qiellore paralajmëronte një kërcënim për fronin e tij, Gao Yang vrau 700 pjesëtarë të klanit 44 familjesh të perandorit Xiaojing. Kur lajmi i mizorisë mbërriti në degët më të largëta të familjes mbretërore, të gjithë u tmerruan nga frika se mos i priste i njëjti fat. Kur u mblodhën për të gjetur rrugët e mënyrat për t’i shpëtuar vdekjes, njëri prej tyre, një gjykatës i quajtur Yang Jingan, propozoi që të merrnin mbiemrin Gao si shenjë të besnikërisë ndaj dinastisë Qi veriore. Por Jinghao, një kushëri i tij, ishte plotësisht kundër këtij mendimi: “A ia vlen të braktisim të parët tanë vetëm për të mbetur gjallë? Ai që është burrë më mirë vdes si një copë nefriti sesa një tullë e plotë argjili”. Tradhtari Yang Jingan ia kallëzoi fjalët e guximshme të kushëririt të tij Gao Yang-it, dhe Jinghao u arrestua e u ekzekutua. Pasi ndryshoi mbiemrin e Jingan-it në Gao, perandori e ngriti në detyrë atë, por ai vdiq nga një sëmundje tre muaj pas vrasjes së Jinghao-s. 18 vjet më vonë dinastia Qi veriore u shkatërrua. Fjalët “Më mirë një copë nefriti sesa një tullë e plotë argjili” mund t’i kenë kushtuar Jinghao-s jetën, por megjithatë e bënë atë të pavdekshëm, duke u cituar përgjatë shekujve nga burra e gra të shquara kineze.

“Virtytet” e nefritit

Në të shkuarën, stolitë e xhevahiret me nefrit shënonin rang dhe status. Gratë e sërës së lartë, siç u këndohej në poezinë klasike, vinin stoli nefriti që tingëllonin kur ato ecnin. Por nefriti nuk kishte një funksion thjesht zbukurues. Besohej se ndodhte një ushqim i ndërsjellë ndërmjet një zbukurimi nefriti dhe bartësit të tij. Kinezët e lashtë e vishnin nefritin gjithashtu si shenjë pastërtie morale. Besohet se Konfuci e ka përngjasuar butësinë kënaqësindjellëse të nefritit me virtytin njerëzor të bamirësisë, fortësinë e tij me ndershmërinë, shumësinë e ngjyrave me mendjemprehtësinë dhe tejndritshmërinë e tij me besnikërinë. Në të folurin e figurshëm kinez nefriti shpesh është bashkëshoqëruar me virtytet femërore të pastërtisë e të dëlirësisë, duke qenë grua ideale ajo që ishte “e pastër si nefriti dhe e qartë si akulli”.