Gjermania po mendon të lehtësojë javën e ardhshme disa nga masat shtrënguese që u vendosën për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, megjithatë rregullat e distancimit social do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri në 3 maj.
Kancelarja Angela Merkel zhvilloi një videokonferencë me guvernatorët e 16 shteteve gjermane për të arritur një dakordësi për lehtësimet që do të bëhen bazuar në përmirësimin e situatën nga pandemia.
Propozimet përfshijnë rihapjen e shkollave gradualisht nga 4 maji ku të parat që do të nisin mësimin do të jenë vitet e fundit të fillores dhe së mesme. Shkollat duhet të përgatisin dhe një plan për higjienën përpara se të hapin dyert.
Ritet fetare ende nuk do të lejohen dhe lokalet, restorantet, kafet dhe kinematë do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura. Megjithatë, dyqanet e pakicës më të vogla se 800 m2, berberët, kopshtet zoologjike, libraritë do mund të happen nga java e ardhshme nën masa të forta të distancimit social dhe higjienës.