Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim elektoral në Prrenjas. Kreu i qeverisë deklaroi se ndërkohë që fqinjët tanë mbyllen për shkak të pandemisë, Shqipëria i ka liruar masat.
Kjo sipas Ramës do të vijojë edhe me sezonin turistik. Kryeministri theksoi se beson se, “shqiptarët do të fuqizohen ekonomikisht sëbashku dhe secili”.
“Ky moment përkon me bukuri me këtë moment të jetës sonë të përditshme. Kujt i shkonte mendja deri jo më larg se dy muaj më parë se sot do të ndiheshim më të lehtësuar, dhe sot ku të tjerët rreth e rrotull nesh po mbyllen dhe ne shtymë edhe orën, dhe tani kemi mundësi të shikojmë me më shumë optimizëm të nesërmen duke filluar nga sezoni turistik, i cili do të jetë shumë më i lehtë dhe shumë më tepër të ardhura dhe shumë më tepër punë për njerëzit dhe vendin tonë. Dua t’ju them që arsyeja pse unë jam këtu sot, arsyeja pse unë jam këtu në këtë përballje, dhe arsyeja pse unë këmbëngul që ne duhet të vazhdojmë përpara është se unë besoj që dielli i Shqipërisë nuk është i bukur vetëm për turistët e huaj, nuk është i bukur vetëm për një pjesë, por mund të bëhet i bukur për të gjithë shqiptarët. Tani pasi ne po kalojmë pasojat që hapi hendekun e madh mes të shkuarës dhe të ardhmes goditja e tmerrshme e tërmetit në fillim dhe pastaj e pandemisë është koha për të besuar, jo duke parë ëndrra në gjumë, por duke besuar parë realiteti e fakteve, duke parë kantieret e hapura, duke parë projektet që po fillojmë se shqiptarët do të fuqizohen ekonomikisht sëbashku dhe secili”, tha Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se rruga e nisur nga qeveria është e duhura prandaj u kërkoi qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste.