Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, duke folur pas mbledhjes së sotme të qeverisë u shpreh se janë miratuar disa ndryshime në ligjin për Policinë e Burgjeve.
Së pari sipas Manjës, është hequr kriteri i moshës deri në 35 vjeç për pranimin e kandidatëve. Së dyti, rregullat e reja për ripranimin e ish-punonjësve që janë larguar me dorëheqje, por jo masë disiplinore. E së treti, pranimi në Policinë e Burgjeve edhe të kandidatëve të tjerë që vijnë nga struktura të tjera policore e ushtarake.
“Një urim e kam me zonjat gazetare që na e kanë bërë punën tonë më të lehtë me publikun. Sot në mbledhjen e qeverisë kaluam disa ndryshime në ligjin për Policinë e Burgjeve. Ky ligj është miratuar në vitin 2021, por gjatë implementimit ka hasur në disa problematika.
Problematika e parë ka të bëjë me plotësimin e vakancave në sistemin e policisë së burgjeve. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore ne i japim zgjidhje këtyre problematikave.
E para ne i heqim kriterin e moshës deri në 35 vjeç për t’u bërë pjesë e Policisë së Burgjeve, pasi ky kufizim moshor nuk ka rezultuar efektiv në praktikë. Aq më tepër që është edhe një kriter diskriminues.
Së dyti kemi përcaktuar rregulla lidhur me ripranimin në Policinë e Burgjeve për ish-punonjësit që janë larguar me dorëheqje dhe jo me masa disiplinore.
Së treti, hapim një dritare për pranimin në Policinë e Burgjeve edhe të kandidatëve të tjerë që vijnë nga struktura policore dhe ushtarake, që plotësojnë kushtet e pranimit në Policinë e Burgjeve”, tha Ulsi Manja.