Kryesore Leje sa herë del nga shtëpia, Rama: Ja si aplikohet

Leje sa herë del nga shtëpia, Rama: Ja si aplikohet

Duke filluar që nga dita e hënë, të gjithë personat në zonat urbane që duan të dalin nga shtëpitë e tyre, për t’u furnizuar me bukë, ujë, ushqime të tjera dhe ilaçe, edhe në fashën orare 05:00-13:00, duhet që më parë të pajisen me lejedaljen.

Kryeministri Edi Rama shpjegoi së bashku me drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit detajet sesi mund të merret leja. Që në fillim, Rama sqaroi se bëhet fjalë për kufizimin e lejes për këmbësorët që duan të bëjnë pazar, jo për personat që kanë autorizimin për punë dhe as për automjetet, pasi për to rregullat nuk ndryshojnë.

“Kjo është leje dalje për në pazar dhe jo për në punë, pasi leja e qarkullimit dhe për të shkuar në punë do të vijojë sikur është. Për ata që shkojnë në punë dhe kanë autorizimin dhe nuk ndryshon asgjë” tha ai.

Lejedalja sigurohet përmes dy rrugëve dhe atë mund të marrë vetëm një person në familje.

“Do të jepen vetëm për një person në familje dhe do të jepen përmes një aplikacioni online që do t’u mundësojë që të hyni tek e-Albania dhe të kërkoni lejen. Leja është automatike nëse bëhet përmes e-Albanias, nëse keni një smartphone, apo kompjuter dhe në rast se nuk e keni, leja do të kërkohet me SMS dhe nuk është automatike, por do të merret pas 24 orësh”, deklaroi Rama.

Nga ky rregull përjashtohen zonat rurale, ndërsa Rama paralajmëroi masë ndëshkimore gjobë për të gjithë ata që e shkelin këtë urdhër të ri dhe sekuestrim makine për ata që e disponojnë një makinë, pavarësisht se kapen si këmbësorë duke dalë nga shtëpia pa leje.

“Tirana në radhë të parë dhe në qendrat e tjera urbane, do të jetë e vetmja mënyrë për të lëvizur pa marrë gjobë dhe pa humbur edhe makinën, nëse dispononi një makinë, sepse i tillë është edhe ligji. Kush ecën në këmbë jashtë orarit dhe në këtë rast pa leje brenda orarit, gjobitët dhe i konfiskohet makina, që të jemi të qartë”, deklaroi Kryeministri.

Rama demonstroi “live” bashkë me drejtoren e AKSHI-t mënyrën sesi funksionon aplikimi përmes e-Albanias.

“Në momentin që aplikon, leja të shfaqet menjëherë në telefonin tënd dhe e njëjta gjë edhe për telefonat që nuk janë smart, por në rastin e tyre kohëzgjatja është më madhe”, tha Rama.

Qytetarët që nuk zotërojnë një telefon të lidhur me internet mund të aplikojnë përmes një mesazhi të zakonshëm në numrin 55155, duke vendosur numrin e kartës së identitetit, hapësirë dhe orarin kur duan të dalin. Miratimi i lejes së kërkuar përmes kësaj rruge bëhet po përmes një SMS-je që u kthehet mbrapsht brenda 24 orëve.

Në të dyja rastet, pra si me e-Albania, ashtu edhe me SMS, qytetarët duhet të sigurohen që kur të dalin të kenë aparatet e tyre celularë me vete, që në rast se ndalohen nga policia t’u tregojnë përmes mesazheve që kanë marrë se janë të autorizuar që të dalin nga shtëpitë e tyre.

Nga aplikimi për leje do të përjashtohen automatikisht pensionistët. Për këtë kategori, Rama tha se është e ndaluar dalja nga shtëpia dhe për ata të moshuar që janë vetëm dhe nuk kanë persona të tjerë që mund të sigurojnë leje daljeje nga banesa do të kujdeset shteti.