Nisur nga përqafimi, jeta dhe kujtimet që i ka dhënë lumi Vjosë qytetit të Memaliajt dhe banorëve të saj ndër breza, duke i pagëzuar këta edhe me emrin “Djemtë e Vjosës”, ku kuptohet “Memaliotët e Vjosës”, mendoj që Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, t’i japi titullin “Qytetar Nderi i Memaliajt”, aktorit me famë botërore, Leonardo DiCaprio, i cili e ka mbrojtur Vjosën sikur të ishte memaliot!
Nuk ka asnjë vendbanim në Luginën e Vjosës, si Memaliaj; që është banuar më shumë; që ka më shumë toponime në rivierën e esaj; që janë larë me mijëra banorë ku 99% e kësaj popullësie kanë mësuar notin në këtë lumë, pa harruar edhe ata që kanë humbur jetën në rrjedhën e saj.
Nuk e dija që Vjosa kishte ngelur i vetëm, si lum i egër në Europë, në të kundërt nuk do kisha shkruajtur para disa vitesh, një shkrim të gjatë kushtuar shfrytëzimit të kësaj rrjedhe, për të përfituar energji elektrike në saj të ngritjes se disa hidrocentraleve, ku projektet e tyre kishin vite që prisnin të zbatoheshin që nga koha e sistemit të kaluar! Falë ndërkombëtarëve dhe jehonës mbrojtëse të hollivudianit, Leonardo DiCaprio, që i bënë Vjosës, bënë të mundur shpëtimin e këtij lumi duke e kthyer në një monument nature, ndër më të rëndësishmit në kontinentin tonë!
Tashmë lumi Vjosë, po merr famën e dikurshme, të qindra e mijërave viteve më parë, ku padyshim që në këtë lumë janë larë Perënditë e Olimpit, mbretër, perandorë e pashallarë, si nga ata të Epirit, Romës e Maqedonisë, ..etj. Jo paqëllim, lumi Vjosë njihet si një ndër lumenjtë me energji më të veçantë nga lumenjtë e tjerë, pasi përgjatë luginës së saj ndodhet edhe e shumëkërkuara, “Kërthiza e Tokës”, ku në një shkrim tjetër do e argumentoj që fillon me perimetër nga fusha e Dragotit dhe e Luzatit e deri tek fusha e Dukajt, me epiqendër fushën e Memaliajt, ku shtrihet qyteti me të njëjtin emër!
Aktori, Leonardo DiCaprio e meriton të shpallet “Qytetar Nderi Memaliajt” dhe “Shpëtimtari i Vjosës”. Ai duhet të ketë edhe një shtatore në sheshin e qendrës së qytetit tonë, jo se do të sjelli shumë vizitorë vendas dhe të huaj, por e meriton për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, të cilin e filloi përtej oqeanit!
Nëse ai vlerësohet me këtë titull nga qeveria jonë vendore, padyshim që do jetë më mirë, që kur t’i jepet titulli, të ndodhë së bashku me inaugurimin edhe të shtatores së tij, pasi ai nuk do vi vetëm, por edhe me miqtë e tij të famshëm! Padyshim që ai do bier në dashuri me Memaliajn dhe mund të blejë edhe një apartament apo ndërtojë një vilë të thjeshtë, jo vetëm për të kaluar pushimet, por edhe për të tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe investitorëve, për të ndihmuar memaliotët dhe zonën përreth!
Memaliaj e meriton të ketë edhe një shtatore të Vjosës, pasi vizitorët do e kërkojnë një simbol të këtij lumi të shenjtë! Mbaj mend kohën kur kam qenë në klasën e V-të, kemi shkuar në Tepelenë, të vizitonim Muzeun Historik të rrethit, ku kryesisht në mjediset e saj, pasqyrohej LANÇ-re. Për çudi, në krahun e djathtë, asnjë metër në brendësi të hyrjes kryesore të ndërtesës, ndodhej një shtatore me përmasa të vogla të Vjosës. Edhe pse fillonte me këtë objekt arkeologjik të epokës së kaluar, asnjë nuk ndalej për ta parë dhe shuar kureshtjen, por shkonin tek stendat ku ishin varruar pushkët, gjerdanët, paguret, stilografët, fotografitë, rrobat e dëshmorëve … etj.
Skulptura më ra menjëherë në sy dhe ndalova ta shikoja, pasi kuptova se ky objekt nuk kishte të bënte me luftën partizane. Kur pyeta punonjësen që punonte si cicerone, u shpreh se i kushtohej Vjosës dhe ishte gjendur nga banorët diku në vendbanimet e hershme në fushat përgjatë luginës së Vjosës, në rrethin tonë. Dukej që ishte një shtatore e vogël, ku dukej një burrë disi i shëndoshë dhe i ulur, me flokë të gjatë e të lëshuar si rrjedha e Vjosës, mbi këmbët e tij, të cilat mbuloheshin dhe bëheshin të padukshme duke u kthyer në një bazament të sheshtë. E gjitha kjo në mermer të bardhë. Në përmasat që e kishin krijuar, të linte të mendoje se mbahej nëpër banesat e asaj kohe, si simbol i shenjtë të një perëndie që banorët i kishin besuar, luteshin dhe kishin gjetur paqen e qetësinë e tyre fizike dhe shpirtërore! Kështu e mbaj mend, edhe pse ishte hera e parë dhe e fundit që e kam vizituar këtë muze.
Me ndryshimin e sistemeve pas vitit 1990, mësova se kjo skulpturë kaloi në një nga pavionët e Muzeut Kombëtar, në Tiranë. Me një kërkim në internet, shpresova se do e gjeja këtë skulpturë, por në këtë muze, doli që është një tjetër skulpturë e Vjosës, ku nga fotografia, të lë të kuptosh se nuk është punuar në mermer të bardhë. Vjosa duket me flokë të gjatë mbi supe, mjekër, gjysëm i shtrirë dhe i mbështetur në mbrylin e krahut të djathtë me parakrah të gjymtuar. Krahu i majtë, duket i gjymtuar gjithashtu, deri në afërsi të supit. Trupi duket i zbuluar dhe me muskuj, sidomos tek pjesa e barkut dhe të dyja këmbët e gjymtuara mbi kupat e gjurit, të cilat duken si të mbuluara me një mbulesë a rob të kohës, ku rrudhat duken si valët e rrjedhës së Vjosës.
Nga bisedat që kam patur para disa vitesh në Nju Jork me mikun tim, piktorin Angji Zhupa, mbaj mend që edhe ai e kishte parë skulpturën e Vjosës në muzeun e Tepelenë. Nisur nga kjo bisedë, i dërgoj një foto të skulpturës që ndodhet në muzeun e Tiranës, për të qartësuar kujtesën time. Ai më shprehet se: “Nga përmbatja dhe detajet e punimit, duket e njëllojtë me atë që kam parë tek Muzeu Historik i Tepelenës. Për nga përmasat, duket që është më e madhe dhe e punuar në terakot, ndërsa ajo e Tepelenës ishte më e vogël dhe e punuar në mermer shumë të bardhë. Më kujtohet shumë mirë, pasi e kam parë disa herë dhe ngaqë e pëlqeja shumë, i kam bërë edhe një skicë në ato vite. Skicën duhet ta kem në Shqipëri.”
Padyshim që duhet të jetë, siç e shpjegon edhe piktori, Angji Zhupa edhe pse më është ngulitur, siç e kam shpjeguar në fillimet e shkrimit, që trupi i Vjosës, dukej i ulur dhe i mbuluar nga flokët, sikur të ishin valët e lumit. Ndoshta bardhësia e mermerit i tregonte muskujt e barkut, si valët e ujit. Më mirë që e kam përjetuar në këtë përshkrim që i bëra, pasi kjo e tregonte si një perëndi të vërtetë të lumit që e kishin pagëzuar me emrin e tij, Aos, mijëra vjetë më parë, ku në Greqi mban ende të njëjtin emër, ndërsa në Shqipëri, njihet me emrin Vjosa, që vjen nga bashkimi dhe evoluimi në komunikimin e vendasve si: “Vija e Aos”, “Vijaos” dhe “Vjosa”.
Nëse Bashkia Memaliaj, vendos t’i kushtoj Vjosës një skulpturë me përmasa të mëdha dhe ta vendosë buzë lumit, nga krahu i Kasaphanës, siç e kanë pagëzuar memaliotët, duhet të imitojë skulpturën origjinale që është në muzeun e Tiranës ose atë që unë përshkrova nga kujtesa ime.
Padyshim, që të dy skulpturat, si ajo e Leonardo DiCaprios dhe aq më shumë edhe ajo e Vjosës, kanë për të ndikuar shumë në turizmin memaliotë dhe zonës përreth. Mos t’ju duket çudi, por pas pesë apo dhjetë vjetësh, Memaliaj dhe gjithë lugina e Vjosës, do ketë një tjetër gjallëri, ku vetëm Vjosa e Memaliajt e ka përjetuar deri diku në sistemin e kaluar, pasi aty laheshin edhe specialistë të huaj që banonin për një kohë të gjatë në këtë qytet, si polakë, kinezë, rusë, rumunë, ..etj dhe pak turistë shqiptaro-amerikanë që vizituan të afërmit e tyre në atë kohë.
Nga një artikull të botuar tek gazeta “Dielli” me seli në Nju Jork, dy-tre vjet, para se të ndërronte jetë, akademiku, Moikom Zeqo (15 Qershor 2020), ai i kushtonte një shkrim të shkurtër lumit Vjosë. Kisha dëgjuar pak për këtë legjendë nga vendasit, në fillimin e viteve 1990, por artikulli i studiuesit, Zeqo i jepte më shumë detaje. Me aq sa mban mend, aty përshkruhej: “Vjosa (Aosi), disa shekuj para erës tonë. Ishte një burë i fuqishëm dhe shumë i zgjuar për kohën, i cili gëzonte respektin e të gjithë banorëve, të të dyja krahëve që banonin përgjatë luginës së Vjosës. Në ato vite, banorët e një krahu, luftonin kundra banorëve të krahut tjetër dhe ndoshta kjo duhet të ketë vazhduar për shumë kohë të gjatë, derisa Aos-i mundi të vendoste paqen midis tyre, ku padyshim që do ketë qenë një fitore e shumëpritur nga dyja krahët. Paqja solli ndryshime të mëdha, në jetën e tyre, si në atë ekonomike por edhe në atë shpirtërore. Kjo arritje i dedikohej Aosit-Vjosës dhe si e tillë, ai respektohej dhe nderohej si perëndia e tyre.”
Edhe pse nuk mund të dëgjohet mirë, unë po e shprehë, pasi këtu është e vërteta. Nëse i shikojmë edhe në kohën e sotme, ende ekziston një ndarje krahinore dhe më e theksuar është në rrethin e Tepelenës. Kjo ndarje filloi, duke marr si kufi rrjedhën e Vjosës, ku në krahun perëndimorë quhet Krahina e Labërisë dhe në krahun lindor quhet Toskëri edhe pse të dyja krahinat janë pjesë e Toskërisë. Kjo frymë përçarjeje me tone të ndryshme që rridhte nga krenaria e tepërt dhe e verbër, u futë qëllimisht menjëherë pas çlirimit të vendit nga Partia-Shtet, e cila e shfrytëzoi shumë mirë për të mbajtur nën kontroll dhe nën vëzhgim njëri-tjetrin, në këtë rreth.
Të dy krahinat, për më shumë se dy mijë vjet, kanë jetuar në harmoni, duke punuar e luftuar së bashku, kundra çdo armiku, por sistemi komunist mbijetoi për mbi katër dekada, me slloganin e pashkruar dhe të heshtur: “Përça dhe sundo”, ku është përdorur në të gjithë vendin.
Për aq sa përshkruam më sipër, kuptohet se Aosi ose Vjosa, i cili ka banuar në Epir, bie që të ketë qenë banori i një nga këto dy krahina të Tepelenës, që kishin si kufi (rrjedhën) Vijën e Aosit. Aos nuk është emër grek, por pellazg dhe besoj se në një shkrim tjetër, do ndalemi për të kuptuar më shumë origjinën e tij.
Në mbyllje, dua të shpreh edhe njëherë, se do të jetë në nderin tonë, që të shprehim mirënjohjen e thellë, duke e vlerësuar aktorin me famë botërore, Leonardo DiCaprio me titujt: “Shpëtimtari i Vjosës” dhe “Qytetar Nderi i Memaliaj”, duke mos harruar edhe ngritjen e skulpturës së tij, por edhe të Vjosës.
Edmond Ismailati
Nju Jork/ Mars 2023