Ronaldo Fenomeni ishte protagonisti i madh i Brazilit kampion në Botërorin 2002, të luajtur në Korenë e Jugut dhe Japoni. Fitorja 2-0 kundër Gjermanisë në finale ishte meritë e tij, falë dy golave vendimtarë që i dhanë kombëtares braziliane titullin.
Për atë ndeshje ka folur Leonardo, ish-lojtar dhe ish-trajner i Milanit dhe Interit. Braziliani tregoi një episod të veçantë gjatë Supernova, një podcast i Alessandro Cattelan, duke shpjeguar gjithçka që kishte ndodhur me Ronaldon në katër vitet mes Botërorit të Francës 1998 dhe atij aziatik.
Leonardo nis duke përmendur atë që ndodhi para finales kundër Francës në 1998. Një problem shëndetësor nuk e lejoi Ronaldon të ishte në 100% të formës, por gjithsesi “Fenomeni” vendosi të luante.
“Historia e tij është e pabesueshme, u sëmur, ishte diçka shumë e vështirë për t’u përballuar,” – shpjegon ai. “Natyrisht, e prisnim deri në fund për të parë nëse lojtari më i mirë në botë mund të zbriste në fushë, dhe në fund ai vendosi të luajë”. Brazili humbet dhe, katër vite më vonë, Ronaldo, në prag të finales kundër Gjermanisë, kalon një natë pa gjumë: “Kishte frikë”.
Ai kishte frikë se mund t’i ndodhte sërish një problem shëndetësor: “Ai pati një krizë, një lloj ‘shkurtcirkuiti’, ku fizikisht nuk e përballon dot, ishte shumë e vështirë për t’u menaxhuar,” – shpjegon Leonardo. “Katër vite më vonë, Brazili kthehet në finale dhe në prag të ndeshjes ai flet me mua, por vendos të mos flejë sepse kishte frikë se mos i ndodhte sërish e njëjta gjë”. Por këtë herë Ronaldo ishte në gjendje të shkëlqyer, dhe ajo finale do të ishte triumfi i tij më i madh në ditën më të rëndësishme të karrierës: “Zbriti në fushë, shënoi dy gola dhe u bë kampion bote”.
Leonardo për Ronaldon: Pas Maradonës dhe Pelés është ai
Leonardo e lartëson plotësisht “Fenomenin”: “Nuk e quajnë Ronaldo Fenomeni kot, e quajnë kështu në mbarë botën,” – thotë ai. “Kur mbërriti, ishte një revolucion. Ronnie arriti të bënte gjithçka që të tjerët kishin bërë para tij, por me dyfishin e shpejtësisë. Ishte një gjë mbresëlënëse, kishte një shpejtësi ekzekutimi të jashtëzakonshme dhe një forcë të pazakontë. Për më tepër, mënyra si vraponte ishte shumë elegante, duke bashkuar shumë cilësi”. Dhe përfundon: “Nëse Pelé dhe Maradona janë Olimpi, unë mendoj se pas tyre vjen Ronaldo”.