“Si epidemiologë të sëmundjeve infektive dhe shkencëtarë të shëndetit publik, jemi shumë të shqetësuar për efektet e dëmshme në shëndetin fizik dhe mendor të shkaktuara nga politikat e miratuara nga qeveritë për Covid-19 dhe rekomandojmë një qasje që ne e quajmë ‘mbrojtje e përqëndruar’, thuhet në peticionin e firmosur nga 6 500 shkencëtarë nga e gjithë bota.
Ata kritikojnë lockdown-in dhe kërkojnë një mbrojtje për më të prekshmit duke i lënë të rinjtë të jetojnë normalisht për të fituar imunitet.
”Politikat aktuale të bllokimit po japin efekte shkatërruese në shëndetin publik, në planin afatshkurtër dhe afatgjatë. Gjetjet përfshijnë nivele më të ulëta të vaksinimit në fëmijëri, përkeqësim të rezultateve të sëmundjeve kardiovaskulare, më pak kontroll të kancerit dhe përkeqësim të shëndetit mendor”, shtojnë ata në deklaratën e Barrington.
”Kjo do të rezultojë në një rritje të vdekshmërisë në vitet që vijnë”, theksojnë shkencëtarët.
“Zgjidhja e propozuar është pikërisht ”mbrojtja e përqendruar”, shtohet në deklaratë.
“Qasja më humane, që balancon rreziqet dhe përfitimet në arritjen e imunitetit të tufës është që të lejojë ata me rrezik më të ulët të vdekjes të jetojnë jetën e tyre normalisht për të ndërtuar imunitet ndaj virusit përmes infeksionit natyror, çka mbron më mirë ata me rrezik më të lartë”, thuhet në peticionin e firmosur nga 6 500 shkencëtarë nga e gjithë bota.
Letra e hapur e përpiluar nga ekspertët në universitetet e Oxford, Harvard dhe Stanford është nënshkruar deri më tani nga më shumë se 130 mijë persona.
Por zyra e kryeministrisë insistoi se nuk do të tërheqë asnjë nga masat e vendosura dhe se çështja e imunitetit të tufës kundër Covid-19 nuk do të merret parasysh nga politikbërësit.
Ajo argumenton se nuk ka prova se kjo gjë do të mbronte njerëzit e rrezikuar apo nëse imuniteti i tufës do të zhvillohej.
Koncepti i imunitetit të tufës u përmend në fillim të marsit përpara vendosjes së masave izoluese, por u tërhoq shumë shpejt pas reagimit të disa kritikëve.