Deputetët e parlamentit letonez, duke filluar nga e hëna nëse nuk janë të vaksinuar nuk do të lejohen që të futen brenda institucionit.
Mediat e huaja bëjnë me dije se nëse ata nuk janë vaksinuar kundër Covid, do përjashtohen nga punët parlamentare, duke përfshirë edhe nga takimet në internet dhe votimet në parlament.
Ndërkohë, muajin e kaluar, shteti australian i Victoria-s gjithashtu implementoi masë vaksinimi për ligjvënësit. Por, Letonia është vendi i parë demokratik që e bën këtë në nivel kombëtar.
Nga ana tjetër, shtetet europiane janë duke u përballur me një rritje të të infektuarve me COVID-19, çka po detyron autoritet të rikthejnë masat kufizuese. Frika shtohet edhe nga sezoni i festave.
Rreth 60% e njerëzve në Europën Perëndimore janë plotësisht të imunizuar kundër COVID-19, ndërsa niveli i ulët i vaksinimit mbizotëron në Europën Lindore.
Greqia ka hyrë në një valë të pestë të pandemisë. Mesatarisht numri i të infektuarve ka arritur në 6,710 raste në ditë, dhe spitalet po ndiejnë mbingarkesën. Mjekëve në klinikat private u është kërkuar ofrojnë shërbimet e tyre vullnetare në spitalet shtetërore.
Në Serbi, shkalla e qytetarëve të vaksinuar plotësisht është ngadalësuar ndjeshëm nga maji dhe mbetet në 43%. Vendi prej gati 7 milionë banorësh ka mesatarisht të paktën pesë mijë raste në ditë. Qeveria u përgjigj duke rikthyer disa kufizime në bare, kafene, restorante dhe ambiente të tjera të mbyllura pas orës 22:00.
Italia ka shtrënguar rregullat, duke e bërë të detyrueshme certifikatën e vaksinimit në një përpjekje për të ngadalësuar shkallën e infeksionit përpara sezonit të festave.
Vala e katërt e COVID-19 po godet Gjermaninë me “fuqi të plotë”, tha Angela Merkel që e përshkroi situatën “dramatike”. Kancelarja apeloi për vaksinim. Për shkak të rritjes së të infektuarve autoritet kanë vendosur të mbyllin tregjet e Krishtlindjes.
Austria, Çekia, Sllovakia po ndjekin një tjetër politikë, ato kanë vendosur të izolojnë personat e pa vaksinuar duke mos i lejuar në bare restorante. Në Belgjikë janë rikthyer maskat në ambientet publike dhe në transport.