Një letër nga Albert Ajnshtajn, në të cilën inkurajohej SHBA-ja të zhvillonte bombat e para bërthamore në botë, do të dalë në ankand.
Drejtuar presidentit, Franklin D Roosevelt, në vitin 1939, letra paralajmëronte se Gjermania naziste mund të ishte në gjendje të krijonte armë të tilla dhe sugjeronte që SHBA-ja të fillojë programin e saj atomik.
Tre vjet më vonë, Amerika filloi Projektin Manhattan, i cili çoi në përdorimin e parë të armëve atomike, kundër Japonisë, në vitin 1945.
Letra po shitet si pjesë e një ankandi të artefakteve që i përkasin bashkëthemeluesit të Microsoft, Paul Allen, i cili vdiq në vitin 2018 në moshën 65-vjeçare. Koleksioni i tij personal do të dalë në shitje në Nju Jork, në shtator. Do të ketë një sërë artikujsh që pasqyrojnë jetën e tij dhe ndikimin në informatikë, por letra e Ajnshtajnit pritet të marrë vëmendjen kryesore.
Letra është vlerësuar së mund të shitet midis 4 dhe 6 milionë dollarë.
Ajo në fakt u shkrua nga fizikani hungarez, Leo Szilard, me ndihmën e shkencëtarëve të tjerë, por u nënshkrua nga Ajnshtajni sepse statusi i tij asokohe vlerësohej si një nga figurat më të mëdha shkencore, çka do të tërhiqte vëmendjen e presidentit.
E datës 2 gusht 1939, vetëm disa javë para shpalljes së Luftës së Dytë Botërore, në letër citohej: “Është e imagjinueshme – edhe pse shumë më pak e sigurt – që mund të ndërtohen bomba jashtëzakonisht të fuqishme të një lloji të ri”.
Por Ajnshtajni raportohet se më vonë është penduar për letrën për shkak të ndikimit të saj për ta kthyer Amerikës të vetmin vend, në atë kohë, që prodhonte armë bërthamore. “Sikur ta dija se gjermanët nuk do të arrinin të prodhonin një bombë atomike, nuk do të kisha ngritur kurrë asnjë gisht”, tha ai në vitin 1947.