Presidenti Meta i ka dërguar kreut të OSBE Miroslav Lajcak një letër që mban datën 20 qershor, pikërisht një ditë para protestës së opozitës në Tiranë.
Në letër, Meta shpjegon ndër të tjera se si kryetar shteti dhe përfaqësues i Unitetit të Kombit ka vendosur me dekret anulimin e datës së zgjedhjeve vendore.
Por ai sqaron më tej se Kryeministri Rama refuzon të pranojë Dekretin e Presidentit dhe ka urdhëruar përfaqësuesit e tij socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të vazhdojnë përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, komplet në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe legjislacionit të vendit.
Sipas presidentit Meta, zhvillimi i zgjedhjeve të qeverisjes vendore më 30 qershor, pa pjesëmarrjen e opozitës, që përfaqëson të paktën gjysmën e elektoratit shqiptar, shkel parimet kushtetuese.
“Klima shumë e tensionuar politike dhe sociale po shkon drejt sistemit monopartiak dhe potencialit për të përshkallëzuar konfliktin civil në të gjithë vendin”, shkruan Meta.
“Veprimet institucionale që kërcënojnë pluralizmin politik, janë një sulm ndaj vetë ekzistencës së Republikës”, vijon mw tej letra e presidentit për kreun e OSBE. Kreu i shtetit shkruan më tej në letrën e tij se tensionet janë rritur dhe autonomia e organeve të qeverisjes vendore është shkelur, duke përshkallëzuar gjendjen e paligjshmërisë dhe anarkinë.
Rama: Inshallah ka humbur rrugës
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasditen e djeshme për letrën që kreu i Shtetit u dërgoi përfaqësuesve OSBE-ODHIR 4 ditë më parë se në Shqipëri, se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, duke e arsyetuar se çdo proces që zhvillohet pa dekret të tij, është nul.
Por kreu i qeverisë në një postim në Twitter duke ironizura Presidentin shprehet se inshallah ka humbur rrugës e s’ka arritur në destinacion, se do kujtojnë bota se është shkruar nga ndonjë humorist që ka dashur të tallet me Presidentin.
“Kjo letra e Ilir Metës për Presidentin e OSBE inshallah ka humbur rrugës e s’ka arritur në destinacion, se do kujtojnë bota se është shkruar nga ndonjë humorist që ka dashur të tallet me Presidentin e Republikës, duke e nxjerrë si një të lajthitur që bërtet pa ditur çfarë flet!”– shkruan Rama.