Një nga momentet më dramatike të debatit presidencial të së martës erdhi pas përfundimit të tij, kur Donald Trump hyri papritur në sallën ku qëndronin gazetarët.
Sipas BBC, shfaqja e tij ishte një shenjë e qartë se e dinte që nuk kishte dalë mirë në skenën e debatit dhe donte të provonte t’u ofronte një narrativë alternative kamerave.
Gazetarët vërshuan menjëherë drejt Trump. Disa e pyetën pse ndjente nevojën të shkonte tek ata, në vend që ta linte performancën e tij të fliste vetë. “Ishte debati më i mirë që kam pasur ndonjëherë,” pohoi ai.
“Nëse vërtetë e besonte këtë, nuk do të kishte ndier nevojën të vinte dhe ta thoshte personalisht. Kur Trump doli si fituesi i qartë nga debati me Joe Biden në qershor, ai nuk e bëri diçka të tillë”, shkruan korrespondentja e BBC, Sarah Smith.
I pyetur nëse do të binte dakord me një debat të dytë, siç ka sugjeruar fushata e Harris ai tha: “Ajo dëshiron një debat tjetër sepse humbi shumë keq sonte.”
Megjithatë të paktën, sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare, pavarësisht qëndrimit kandidati republikan nuk mundi ta fshihte shqetësimin e qartë se nuk kishte dalë fitues në këtë përballje.