Mira Murati, 34-vjeçarja shqiptare, është caktuar Drejtoresha Ekzekutive (CEO) e OpenAI. Murati ka qenë shefe e teknologjisë në OpenAI, kompanisë që krijoi ChatGPT.
Bordi e vendosi CEO të përkohshme të premten pasi paraardhësi i saj, Sam Altman, njoftoi se do të largohej nga rolet e tij si CEO dhe si anëtar i bordit. Kjo tronditi botën e teknologjisë.
Kompania tha se kreu “një proces shqyrtimi konsultativ” dhe “arriti në përfundimin se ai nuk ishte i sinqertë në komunikimin me bordin duke penguar aftësinë personale për të ushtruar përgjegjësitë e tij”.
“Bordi nuk ka më besim në aftësinë e tij për të vazhduar udhëheqjen e OpenAI”, thuhet në deklaratë.
Bordi drejtues i OpenAI njoftoi se janë në proces kërkimi për pasardhësin e përhershëm të Altman, megjithatë deri më tani emri i Muratit është më i përshtatshmi.
“Si një anëtare e ekipit udhëheqës të OpenAI për pesë vite, Mira ka luajtur një rol kyç në evolucionin e OpenAI si lider global i inteligjencës artificiale. Ajo sjell aftësi unike, kupton vlerat, operacionet dhe biznesin e kompanisë. Ajo ka udhëhequr ndërkohë funksionet e kompanisë mbi kërkimin, produktet dhe sigurinë”, tha OpenAI pasi njoftoi largimin e Altman.
Sipas OpenAI, për Mira Muratin flet puna e saj e gjatë në kompani duke e bërë mëse të kualifikuar për këtë rol derisa të gjendet një CEO i përhershëm.
Siç shkruan Business Insider, Murati iu bashkua kompanisë OpenAi si kërkuese në vitin 2018, kur kompania kishte vetëm 40-50 punonjës.
Shpejt ajo u ngjit në hierarkinë e kompanisë duke u bërë shefe e teknologjisë në vitin 2022. Tashmë ajo mbikëqyr ekipet që qëndrojnë pas ChatGPT-së dhe gjeneratorit të imazheve Dall-E 2.
Kompania OpenAI hulumton inteligjencën artificiale me qëllimin e deklaruar për ta zhvilluar atë në mënyrë të sigurt dhe të dobishme.
OpenAI, i cili ka mbledhur miliarda dollarë nga Microsoft dhe u rendit i pari në listën ”Disruptor 50” të CNBC këtë vit, doli në treg në fund të 2022 pasi lëshoi për publikun chatbotin e tij të AI ChatGPT.
Shërbimi u bë viral duke lejuar përdoruesit të konvertojnë tekstin e thjeshtë në bisedë krijuese dhe ka shtyrë kompanitë e mëdha të teknologjisë si Alphabet dhe Meta të rrisin investimet e tyre në IA gjeneruese.
Aksionet e Microsoft ranë pas njoftimit, duke e mbyllur ditën me 1,7% rënie në 369,84 dollarë.
Një zëdhënës i Microsoft tha në një deklaratë se kompania ka “një partneritet afatgjatë me OpenAI dhe Microsoft mbetet i përkushtuar ndaj Mirës dhe ekipit të saj”.
Në një postim në X, CEO i Microsoft, Satya Nadella komentoi për “marrëveshjen afatgjatë të kompanisë së tij me OpenAI”, duke shpjeguar se ajo do të “mbetej e përkushtuar ndaj partneritetit, ndaj Mirës dhe ekipit”.
Nadella nuk foli për largimin e Altman.
Brockman ndau gjithashtu një postim në X që përfshinte mesazhin që ai u dërgoi ish-kolegëve të tij OpenAI, duke i informuar ata se ai “u dorëhoq”.
Më vonë në mbrëmje, Brockman tha në një postim X se ai dhe Altman ishin “të tronditur dhe të pikëlluar nga ajo që bëri bordi”.
OpenAI debutoi në 2015 si një organizatë jofitimprurëse dhe punësoi Brockman si shef të teknologjisë.
Investitorët origjinalë të firmës përfshinin disa figura të shquara të Silicon Valley si Altman, bashkëthemeluesin e LinkedIn, Reid Hoffman dhe CEO të Tesla, Elon Musk, të cilët thuhet se kanë dhënë një miliard dollarë për projektin.
Para se të merrte detyrën si CEO, Altman, 38 vjeç, ishte president i përshpejtuesit të startup-eve ”Y Combinator” dhe fitoi rëndësi në Silicon Valley si një investitor. Më herët në karrierën e tij, ai themeloi kompaninë e rrjeteve sociale Loopt.
Ndërsa popullariteti i OpenAI u rrit këtë vit krahas ChatGPT, po ashtu u rrit edhe profili i Altman.
Ai u bë një lloj ambasador, duke përfaqësuar industrinë e inteligjencës artificiale në të gjithë globin.