Sport Lewa-Yamal show, Barcelona asfalton Realin në Bernabeu

Lewa-Yamal show, Barcelona asfalton Realin në Bernabeu

Gjithçka u vendos në pjesën e dytë “El Clasico” e javës së 11 në Liga do të hyjë në histori. Barcelona e Flick asfalton Real Madridin në Bernabeu.

Djemtë e Flick, tashmë të rilindur në këtë sezon arritën të fitojnë me rezultatin 4-0 në shtëpinë e rivalit të përjetshëm.

Vendasit e nisën vrullshëm pjesën e parë me raste të krijuara njëri pas tjetrit, por nuk mundën të gjenin kuadratin. Vinicius, kandidati kryesor për Topin e Artë në këtë sezon nuk ishte në ditën e tij më të mirë dhe humbi disa raste të pastra shënimi.

Teksa francezi Mbappe gëzoi për disa sekonda në 45 minutat e para, por festa e tij u shua shpejt pasi VAR-i tregoi pozicionin e tij të vërtetë.

Me fillimin e pjesës së dytë vjen dhe përgjigjja e Barcelonës. Topat e gjatë dhe vertikalizimet duket se janë zbulimi në këtë vit me ardhjen e trajnerit gjerman dhe me një të tillë erdhi dhe goli i parë me anë të Lewandowski.

Pa e marrë veten nga goditja e parë në minutën e 54, 120 sekonda më vonë, po në të njëjtën mënyrë me një top në thellësi,  polaku tregon edhe njëherë saktësinë në portën e Lunin.

Mbappe gjen sërish rrjetën, por pozicioni jashtë lojë këtë herë është më evident.

Në minutën e 78 vjen dhe goli për Yamal, teksa 7 minuta më vonë firmos në portën e Madridit dhe Raphina me një parabolë, që vulosi fatet e takimit dhe zgjeroi diferencën mes dy ekipeve në renditjen e La Liga.