Janë padyshim dy protagonistët e padiskutuar të Bundesligës, dhe dy nga sulmuesit më në zë të futbollit europian.
Histori totalisht të ndryshme, ato të Robert Lewandoski dhe Erling Haaland. I pari, 34-vjeçar polak i “birësuar” nga Gjermania dhe veçanërisht nga Bayern Munich, me të cilin po shkatërron çdo rekord të mundshëm.
I dyti, një kolos 21-vjeçar norvegjez që po mahnit te Dortmundi dhe që prej dy sezonesh është objektivi kryesor i ekipeve të mëdha në kontinent.
Një gjë i bashkon, uria e pashtershme për të shënuar, nga çdo pozicion. Numrat janë të frikshme. Nga janari i vitit 2020, ylli nordik ka shënuar 80 gola në 79 ndeshje zyrtare, ku ka shkelur fushën e blertë. Lewandoski ka statistika edhe më të pabesueshme në të njëjtën periudhë, flitet për 107 realizime në 90 përballje.
Por në një intervistë për mediat polake, “Lewa” tregon me fjalë që marrëdhënia mes tyre është ajo që pritet nga një rival. Polaku fenomenal, i pyetur nëse Haaland mund të përsëriste karrierën e tij dhe të shndërrohej në një yll botëror, përgjigjet ftohtë: “Haaland është një lojtar që ke qejf ta shohësh, por vetëm për faktin se ka potencial të madh, nuk duhet nënkuptuar që do të jetë një yll në vitet në vijim”, deklaroi ai për revistën PilkaNozna.
Sulmuesi i kampionëve të Gjermanisë shtoi se “nuk mund të krahasohen një 33-vjeçar dhe një 21-vjeçar, secili ka zhvillimin e vet, por ai është i fortë, fizik, dhe loja e tij bazohet te kjo gjë. Unë kam cilësi të ndryshme”.