Me 35 gola të realizuar në këtë sezon të Bundesligës kundrejt vetëm 21 të Erling Haaland, Robert Lewandowski vazhdon të mbetet një shkallë më lart se talenti norvegjez i Dortmundit.
Leva i cili humbi përballjen e parë çerekfinale të Championsit ndaj Paris Saint Germain dhe po bën çmos për t’u rikuperuar në kohë për takimin e kthimit, në një intervistë ka folur pikërisht për Haaland duke thurur elozhe për yllin e Dortmundit i cili sipas bomberit polak zotëron një talent të jashtëzakonshëm dhe një ditë do të jetë qendërsulmuesi më i mirë në qarkullim, por ajo ditë do të vijë kur Lewandowski të jetë tërhequr pasi 32-vjeçari nuk ka ndërmend t’i hapë rrugë.
“Haaland është një futbollist i shkëlqyer. Ai është ende shumë i ri dhe ka një potencial të madh. Nëse e sheh në fytyrë, e dallon lehtë urinë e madhe që ka dhe dëshirën për të shënuar gola. E ka mundësinë për t’u bërë sulmuesi më i mirë në botë. Por kujdes, jo gjithçka shkon mbarë gjithmonë dhe në futboll nuk ka asgjë të lehtë. Erling po realizon shumë gola, por është akoma i ri. Unë mendoj se është diçka fantastike të kesh një talent të tillë në Bundesligë dhe të përballesh me të. E përsëris, ai është një futbollist që mund të bëhet më i miri. Gjithsesi, unë nuk kam ndërmend t’i hap rrugë dhe t’ia jap stafetën. Jam i lumtur këtu ku jam dhe kam ndërmend të luaj në nivele të larta edhe për disa vite“, theksoi Robert Lewandowski i cili përpara se të varë këpucët në gozhdë synon të thyejë rekordin e Gerd Muller për t’u bërë shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e Bundesligës.