Presidentja e parë grua e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, prezantoi të nominuarit e saj për postet e komisionerëve.
Për Shqipërinë me interes është Komisioneri për Zgjerim, post në të cilin Ursula von der Leyen ka zgjedhur hungarezin euroskeptik László Trócsányi.
Përpara se të marrë postin zyrtarisht, nominimi i tij duhet të konfirmohet dhe nga Parlamenti Europian.
Sa iu përket posteve të tjera, Von der Leyen ka zgjedhur me kujdes për të respektuar dhe barazinë gjinore. Për të zëvendësuar Federica Mogherinin, u konfirmua nominimi i spanjollit Jozeph Borel. Si zëvendës presidentë të Komisionit Europian, zgjodhi danezen, Margrethe Vestager dhe holandezin Frans Timmermans.
Von Der Leyen gjeti hapësirë në skuadrën e saj edhe për Johannes Hahn, i cili është nominuar për komisioner të Administratës dhe Buxhetit. Emra të rëndësishëm janë vendosur dhe në fushën e tregtisë dhe ekonomisë, respektivisht irlandezi Phil Hogan dhe ish-kryeministri italian Paolo Gentiloni.
Trócsányi, kandidati që përçan Parlamentin Europian
Kandidati për Komisioner të fqinjësisë së mirë dhe Zgjerimin vjen nga radhët e partisë eurospektike Fidez, e kryeministrit hungarez Viktor Orban. László Trócsányi, i cilësuar si ekzekutues i vullnetit të Orban, u zgjodh përkundër zërave se postin do të merrte kroatja, Dubravka.
Megjithatë, Parlamenti Europian do të thotë fjalën e fundit për secilin kandidat dhe pritet që për hungarezin konfirmimi të mos jetë dhe aq i lehtë. Ligjvënësit kanë paralajmëruar se nuk mund ta shpërfillin historikun e qeverisë së Orban lidhur me sundimin e ligjit.
I zgjedhur si europarlamentar në vitin 2015, Trócsányi konsiderohet si arkitekt i planeve të sistemit të ri të drejtësisë në Hungari, i kritikuar për kufizimin e fuqive të gjyqësorit. Si ministër i Drejtësisë ka mbikëqyrur ligjet që kriminalizojnë organizatat që ndihmojnë refugjatët dhe që ngrënë kampe për azilkërkuesit…
Kur kandidatura e tij për postin e komisionerit të Zgjerimit ishte ende në fazat e spekulimit, pati nga ata që u shprehën të alarmuar. Nga ana e saj, partia e Orban, Fidez e përshëndeti emërimin e Trócsányi, duke theksuar se forcat pro-emigracionit kishin bërë çdo përpjekje për të rrëzuar kandidaturën e tij, por pa sukses.