Kulturë Libraria lundruese më e madhe në botë mbërrin në Vlorë

Libraria lundruese më e madhe në botë mbërrin në Vlorë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka dhënë lajmin se në Vlorë ka mbërritur libraria më e madhe lundruese në botë.

Bëhet fjalë për një anije të mbushur plot me libra, të cilën ministrja Margariti e quan “anije shprese”.

Anija “Logos Hope”, një panair i gjallë, me një gjatësi prej 132,5 metrash, përmban 5000 tituj librash, e ku shërbejnë 300 persona vullnetarë.

“Logos Hope” ka shprehur dëshirën të qëndrojë e ankoruar në Portin e Vlorës përgjatë gjithë muajit shtator, duke pritur adhuruesit e librit ne mjediset e saj të brendshme.

Margariti e ka cilësuar “një mesazh dijeje, që udhëton në të gjithë botën”. Anija që prej viteve ’70, ka pritur e përcjellë rreth 46 milionë vizitorë dhe tashmë ka prekur edhe brigjet tona”.

Në postimet në rrjetet sociale nga stafi i ”Logos Hope” thuhet se ekuipazhi ndërkombëtar, nga 60 vende të ndryshme, është entuziast për ankorimin në brigjet shqiptare.

Pas Vlorës libraria lundruese ka në plan të ankorohet edhe në portin e Durrësit, duke i dhënë mundësinë më shumë libërdashësve të ngjiten në bordin e saj.