Në një libër të Herrison Sallsbërit (Harrison Salisbury), njërit prej gazetarëve më të njohur amerikan të shekullit XX, të titulluar “A Time of Change” – (Një kohë ndryshimesh), të botuar në Nju Jork më 1988, flitet për një takim të këtij gazetari me Mehmet Shehun në Tiranë në gusht të vitit 1957.
Pasi përshkruan peripecitë në Beograd për marrjen e një vize për të udhëtuar në Tiranë, Sallsbëri hedh me detaje ato që ka parë e dëgjuar në Tiranën e gushtit 1957.
Atëherë kishte vetëm dy fluturime për në Tiranë, të mërkurave dhe të premteve.
Sallsbëri tregon:
Shqipëria nuk ishte në luftë vetëm me fqinjët e saj. Sikurse më garantoi Petrit Aliu, djaloshi me flokë të zinj dhe sytë bojëkafe që më shërbente si udhërrëfyes dhe përkthyes, kryesorja ishte CIA që përpiqej të rikthente në fron Mbretin Zog. Unë shpreha habinë që Mbreti Zog ishte ende gjallë. I vetmi kuriozitet që ishte përhapur në Shtetet e Bashkuara për Zogun kishte ndodhur në vitet ’30 kur një gazetë tabloide raportonte se ai tymoste 300 cigare në ditë.
Petriti u xhindos. Unë e kisha ofenduar atë duke mos e marrë seriozisht kërcënimin e sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Ai ishte i sigurt se Shtetet e Bashkuara i kushtonin shumë kohë dhe financime çështjes shqiptare. Unë e kundërshtova duke i thënë se shumica e amerikanëve nuk duan t’ia dinë se ku bie Shqipëria. “E gjithë kjo është qesharake”, i thashë.
Në të vërtetë, kjo nuk ishte dhe aq qesharake, Sikurse do ta merrja vesh më vonë. Shqipëria në vitin 1948 ishte vënë në shënjestrën e komplotit të parë të madh të CIA-s për të përmbysur qeverinë komuniste të saj. Ne, amerikanët, ishim ndihmuar për këtë nga britanikët dhe në përfundim ajo rezultoi në një katastrofë.
Më vonë edhe rusët u përpoqën të bënin të njëjtën gjë. Ata bënë për vete një grup ushtarakësh kryesisht të marinës, por dështuan po aq keq sa dhe CIA. Pas kësaj Hoxha dhe Shehu ndërprenë të gjitha lidhjet me vendet e tjera, me përjashtim të Italisë dhe Kinës komuniste.
Pasi e interviston kryeministrin e Shqipërisë, Sallsbëry kthehet në Amerikë.
Ai shkruan: “Pavarësisht nga kritikat e tij ndaj politikës së Shteteve të Bashkuara, z. Shehu nuk e mbajti të fshehtë bindjen e tij se ai do të preferonte më mirë të jetonte në paqe me Shtetet e Bashkuara. Në fakt, ai nuk mendonte se mund të kishte alternativë tjetër”.
Të mos harrojmë: Jemi në vitin 1957. Kishin filluar krisjet e para me rusët.
Shqipëria ishte në udhëkryq. Kjo mund të merret lehtësisht me mend nga propozimi i beftë që Mehmet Shehu i bën gazetarit amerikan:
“Kryeministri Mehmet Shehu insiston se Shqipëria do që t‘i normalizojë marrëdhëniet me Perëndimin. Ka arsye të mjaftueshme për të besuar që Moska nuk do ta lejonte këtë normalizim, por të paktën ky është një hap para dhe një ndryshim i madh nga situata e dy viteve më parë”, thotë Sallsbëri.
Shqipëria të hapej drejt Perëndimit? Mehmet Shehu, natyrisht me dijeninë e plotë të Enverit, ia thotë këtë thuajse hapur gazetarit të famshëm të Nju Jork Tajmsit. Por në Departamentin e Shtetit, sikurse thotë Lucas-i, nuk donin të merreshin me këtë kërkesë të Tiranës. / dita
*****
Foto shoqëruese: Pogradec 1956, foto nga koleksioni i Wilfried Fiedler