Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, janë marrë në mbrojtje nga policia. Kjo është konfirmuar nga zyrtarë të të dyja partive.
“Me rekomandim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i është ofruar një ekip i mbrojtjes së afërt të Policisë”, ka thënë Valmir Klaiqi, drejtor i Zyrës së komunikimit në PDK.
Ndërkohë, këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi: “Lajmi është i vërtetë! Për të gjitha informacionet e tjera, ju lutem kontaktoni Policinë e Kosovës”.
Sipas raportimeve, kjo është bërë për shkak të kërcënimeve të grupeve terroriste serbe ndaj politikanëve në Kosovë, pas sulmit në Banjskë të Zveçanit.