Në samitin e G7-s në Biarritz presidenti Emmanuel Macron u tregua mjeshtër i diplomacisë duke e mënjanuar me një manovër të zgjuar presidentin Trump.
Me këtë ai merr rolin drejtues në Europë, mendon Barbara Wesel.
“Presidenti francez, Emmanuel Macron investoi shumë punë e kapital politik, me qëllim që samiti i G7-s në Biarritz të mos dështonte plotësisht. Ai ftoi politikanë të paplanifikuar dhe vendosi tema të tjera në axhendën e ditës, për të thyer këtë format të skematizuar. Ai vetë sidomos nuk donte të dilte në fund si dështak. E kësaj Macron ia doli.
Macron ia doli vërtet të nxjerrë jashtë loje, Donald Trump, presidentin kokëfortë dhe gjithmonë kundër në politikën e Iranit. E ky nuk është sukses i vogël, sepse Donald Trump u tregua në Biarritz edhe një herë si mik i keq, që e shihte si shaka të çorientonte mediat dhe vëzhguesit me politikën e tij tregtare.
Presidenti francez ftoi ministrin e Jashtëm iranian, Mohamed Dzhavad Sarif si të ftuar surprizë dhe filloi në kuadër të takimit një iniciativë diplomatike. E ai e bëri këtë nën hundën e Donald Trump, që reagoi me zemërim dhe theksoi, se linja e ashpër e SHBA është strategjia e vetme e duhur. Macron nuk u impresionua shumë nga kjo, dhe u takua personalisht me Sarif për të parë mundësitë diplomatike për zgjidhje të reja.
Edhe për djegiet e pyjeve në Amazona, Macron gjeti levën e duhur. Ai e kërcënoi në fillim presidentin brazilian, Jair Bolsonaro me mosratifikimin e marrëveshjes Mercosur, nëse ai nuk do të ndalte zjarrvënien në mushkërinë e gjelbër të planetit. E në samit ai arriti të merrte premtime nga pjesëmarrësit e tjerë, që t’i ofronin Brazilit e vendeve të tjera përreth ndihma konkrete në shuarjen e zjarreve.
Presidenti francez tregoi këtu, se e ka metodën e duhur si duhet vepruar me populistët dhe anti-demokratët. Ai flet me të gjithë, por di të jetë i prerë.
Presidenti francez tregoi me samitin e G7-s, se e zotëron zanatin politik dhe se do të ngjitet në liderin drejtues të Europës. Shumë iniciativa të rëndësishme, që nga tatimi mbi koncernet digjitale deri tek politika e klimës kanë ardhur nga Parisi. Përkundër kësaj, Gjermania nuk po bën një figurë të mirë. Duket sikur perëndimi politik në Berlin i Angela Merkelit ka paralizuar edhe përvojën dhe vullnetin drejtues të kancelares. Dobësia e saj çon në ndërrimin e shtabit në BE. Që në zgjedhjen e presidentes së Komisionit Europian, Macron vuri dorë. Tani ai po kthehet në liderin e fortë të Europës, por duhet të ketë kujdes të mos marrë shumë flatra e të humbasë lidhjen me realitetin. Megjithatë pas këtij samiti të vështirë G7, mund të kesh ndjesinë, se me Macron je në duar të mira”, shkruan Wesel per DW.