Bota Lideri suprem i talebanëve shfaqet në publik, bien poshtë dyshimet për vdekjen...

Lideri suprem i talebanëve shfaqet në publik, bien poshtë dyshimet për vdekjen e tij

Udhëheqësi suprem i izoluar i talebanëve, Haibatullah Akhundzada, ka dalë publikisht në qytetin jugor të Kandaharit, duke hedhur poshtë thashethemet e përhapura për vdekjen e tij.

Akhundzada, i njohur si udhëheqësi i besimtarëve ose Amir ul Momineen, nuk ishte parë në publik edhe pas marrjes së pushtetit nga talebanët në muajin gusht.

Një udhëheqës i lartë taleban, i cili ndodhej pranë Akhundzada gjatë daljes publike i tha Reuters se udhëheqësi suprem kishte vizituar Jamia Darul Aloom Hakimia, një shkollë fetare në Kandahar të shtunën.

Ndërsa lëvizja islamike formoi qeverinë e saj të përkohshme në shtator, pasi forcat e udhëhequra nga SHBA u tërhoqën, Akhundzada ruajti rolin që ai ka mbajtur që nga viti 2016 si udhëheqës suprem, autoriteti përfundimtar mbi çështjet politike, fetare dhe ushtarake të grupit.

Edhe pse disa zyrtarë thonë se Akhundzada ka bërë paraqitje publike të papublikuara më parë, kjo ishte paraqitja e parë e konfirmuar e një njeriu që ka mbajtur prej kohësh një profil të ulët publik.

Pas ardhjes në pushtet, Mullah Akhundzada fitoi shpejt besnikërinë e liderit egjiptian të Al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri, i cili e quajti atë një “emir të besimtarëve”, duke forcuar kështu besueshmërinë e tij në botën xhihadiste dhe në universin sunit. Në cilësinë e tij si “udhëheqës suprem”, Akhundzada është përgjegjës për ruajtjen e unitetit brenda lëvizjes islamike, një mision kompleks pasi betejat e brendshme që thyen lëvizjen xhihadiste për vite të tëra vazhdojnë që nga kthimi i tyre në pushtet në mes të gushtit.