Një shtetas shqiptar dhe një lituan u dënuan me nga 19 vite e gjysmë burg secili pasi u shpallën fajtorë për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të dy shqiptarëve në Britaninë e Madhe.
Valdemaras Kasinskas, 39 vjeç, dhe Andi Alushi, 27, u shpallën fajtorë për pengmarrje muajin e kaluar ndërsa me 3 janar u dha edhe dënimi. Ata u arrestuan më 14 maj të këtij viti, pasi policia britanike bastisi një shtëpi në Shefilld, ku gjeti dy shqiptarët e tjerë (E. R. dhe O. L) të lidhur me zinxhirë në dy dhoma të ndryshme. Pranë tyre u gjetën dy tasa për ushqimin e qenve. Një prej djemve kishte disa të djegura në duar dhe të dy kishin ditë pa u ushqyer.
Për hetimet e rastit autoritetet britanike bashkëpunuan edhe me Prokurorinë e Posaçme.
Sipas SPAK, gjatë muajit shtator 2022 pjesëtarë të Skuadrës së Përbashkët Hetimore nga Shërbimi i Policisë së Yorkshire të Jugut kanë ardhur në Shqipëri, ku në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerë të shërbimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë kryer veprime të shumta hetimore, në kuadër të hetimeve paralele që po zhvilloheshin si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu dhe në Shqipëri.
Në bashkëpunim me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar hetimet vazhdojnë për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.