Një operacion i policisë italiane, arrestoi mëngjesin e kësaj të hëne 19 persona në Milano, të lidhur me ultrasit e Milanit (Curva Sud) dhe ata të Interit (Curva Nord).
Në pranga kanë rënë drejtues të rëndësishëm të dy tifogrupeve, pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Milanos.
Pas një hetimi të gjatë, u zbulua se “kokat” e dy tifozerive, kishin lidhur një pakt mes tyre, për të ndarë në mënyrë të paligjshme biznesin dhe të ardhurat që ishin të lidhura me stadiumin “San Siro”.
Akuzat janë për komplot kriminal, që synon një seri zhvatjesh, të lidhura me pjesën e stadiumit. Bëhet fjalë për biletat e klubit, parkimin, shërbimet e kateringut dhe shitjet e pijeve në “San Siro”, por jo vetëm.
Gjithashtu dy palët akuzohen edhe për dhunë në shumë stadiume, sulme ndaj pjesëtarëve të sigurisë, dhunë ndaj tifozëve rivale, por edhe dhunë ndaj tifozëve që i përkisnin grupit të tyre.
Në 19 masat e dhëna, 16 persona janë dënuar me burg dhe tre të tjerë në arrest shtëpie. I arrestuar për akuzat e sipërpërmendura, është edhe drejtuesit i “Curva Nord” Andrea Beretta, i cili është në burg prej disa javësh, për vrasjen e Antonio Bellocco-s, anëtarit të “Ndraghetta”-s. Megjithatë, hetimi nuk ka të bëjë me trafikun e drogës.
Gjithashtu u bë edhe arrestimi i drejtuesit të “Curva Sud”, Luca Lucci, së bashku me vëllain e tij, Francesco. Në pranga ka rënë edhe truproja e Fedez, Christian Rosiello. Sipas raportimeve nga Italia, hetimet e prokurorëve antimafia, nisën pas vrasjes së ish-liderit të “Curva Nord”, Vittorio Boicchi, në tetor të vitit 2022.
Liderët e “Curva Nord” akuzohen se i kanë hapur rrugën mafias, për të favorizuar klanin “Ndraghetta”, me hyrjen e Belocco në pjesën e tifogrupit. Pak javë pas vdekjes së Boicchi, Antonio Berlocci, filloi të fitojë terren në tifogrupin e Interit, falë ndihmës së Beretta-s, i cili ishte një mbështetje për reputacionin e tij kriminal.
Së bashku ata do të mbikëqyrnin metodat e financimit të “Curva Nord”, si shitja e biletave të ndeshjeve me çmime të rritura, mbrojtja e paguar kundër shitësve ambulantë që shesin bluza si dhe bileta të falsifikuara dhe hyrjet e paligjshme në ndeshje, shpesh me bashkëpunimin me personat e sigurisë.