Aktualitet Ligjërimi i përdorimit të Sky ECC, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e arsyetuar

Ligjërimi i përdorimit të Sky ECC, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e arsyetuar

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e arsyetuar ku miraton përdorimin nga SPAK të përgjimeve në aplikacionin Sky Ecc, në çështjet që heton.

Vendimi u mor pas ankimimit të bërë nga biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar nga operacioni “Metamorfoza”, i cili pretendonte për antikushtetutshmëri të përdorimit nga SPAK si prova të komunikimeve në platformën Sky ECC.

Gjykata shqyrtoi pretendimet e tij për cenimin e lirive dhe të drejtave themelore, përfshirë pavarësinë e gjykatave, vlefshmërinë e provave të siguruara nga përgjimet dhe respektimin e të drejtës për mbrojtje.

Përmbledhje e vendimit:

Ligjshmëria e përgjimeve: Kërkuesi pretendoi se përgjimet e Sky ECC dhe EncroChat janë të paligjshme pasi janë kryer nga autoritetet franceze pa njoftuar autoritetet shqiptare dhe janë përdorur si prova në procesin penal kundër tij. Ai argumentoi se përgjimet ishin masive dhe jo të drejtuara, duke shkelur të drejtat e tij kushtetuese.

Vendimi i gjykatave të mëparshme: Gjykatat e mëparshme (GJKKO-ja e Shkallës së Parë, GJKKO-ja e Apelit dhe Gjykata e Lartë) kishin vlerësuar se provat e marra nga këto përgjime ishin të ligjshme dhe mund të përdoren në procesin penal, pasi ishin siguruar përmes ndihmës juridike ndërkombëtare nga autoritetet franceze.

Pretendimi për cenim të pavarësisë së gjyqtarëve: Kërkuesi argumentoi se ligji për strukturat e posaçme të drejtësisë (ligji nr. 95/2016) cenon pavarësinë e gjykatësve të posaçëm, pasi i nënshtroi ata një mbikëqyrjeje të vazhdueshme nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Gjykata Kushtetuese shqyrtoi nëse kjo ndërhyrje cenonte pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata vlerësoi se provat e siguruara nga përgjimet përmes letërporosive ndërkombëtare nuk janë të papërdorshme automatikisht, por duhet të analizohen rast pas rasti për përputhshmërinë e tyre me të drejtat kushtetuese.

Në lidhje me pretendimin për cenimin e pavarësisë së gjykatësve, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se disa dispozita të ligjit nr. 95/2016 mund të bien në kundërshtim me Kushtetutën, duke vendosur kufizime mbi disa kompetenca të BKH-së dhe Prokurorisë së Posaçme.

Sa i përket masës së sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj kërkuesit, Gjykata Kushtetuese e la në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë, duke vlerësuar se masat janë vendosur në përputhje me ligjin.

Në përfundim, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e lë në fuqi përdorimin e provave të siguruara nga përgjimet e Sky ECC dhe EncroChat, por vlerëson se mbikëqyrja e gjyqtarëve të posaçëm duhet të rishikohet për të garantuar pavarësinë e tyre.