Kryesore “Ligjet” miratojnë paketën anti-shpifje, nuk merren parasysh rekomandimet e OSBE-së

“Ligjet” miratojnë paketën anti-shpifje, nuk merren parasysh rekomandimet e OSBE-së

Komisioni i Ligjeve miratoi këtë të hënë në parim projektligjin për Mediat Audiovizive dhe atë për Komunikimet Elektronike, e propozuar dhe hartuar nga qeveria.

Në Komision nuk u morën parasysh rekomandimet e OSBE-së se gjobat e larta mund të çonin në mbyllje të mediave online, apo për procedurën e vjeljes së tyre, që sipas OSBE-së, duhet të ndodhë vetëm pasi të këtë një vendim të prerë nga gjykata.

Nenet për mënyrën e vjeljes se gjobës janë marrë nga ligji aktual për mediat audiovizive dhe mund të pësojnë ndryshime deri në votimin e ligjit në parlament.

Në Komisionin e Ligjeve drafti pësoi ndryshme në lidhje me përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Ankesave. Ata duhet të jenë gazetarë me përvojë 10-vjeçare. Gjithashtu emërtimi “Autoriteti i Mediave Audiovizive” zëvendësohet me “Autoriteti i Mediave Shqiptare”.

Dy projektligje të paketës ligjore antishpifje pritet të votohen në parlament me 19 Dhjetor, ndonëse shoqatat e mediave e kanë kundërshtuar atë, si ligj që cënon lirinë e shprehjes.