Presidenti Ilir Meta ka dhënë pëlqimin për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit për eurobondin, pas miratimit nga Kuvendi.
“Ditën e sotme jam njohur me sqarimet e Kryetares së Komisionit për Ekonominë dhe Financat, dhe dokumentet zyrtare shtesë të paraqitura prej saj, të pa vëna në dispozicion në kërkesën e parë. Gjithashtu, jam informuar lidhur me faktin se, neni 3 i projektligjit, mbi autorizimin që i jepet ministrit të Shtetit për Rindërtimin, do të propozohet të hiqet në seancë plenare. Sa më sipër, pas vlerësimit të plotë të të gjithë praktikës dhe sqarimeve shtesë, Presidenti i Republikës jep pëlqimin e tij për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit, pas miratimit nga Kuvendi”, lexohet në letrën e Presidentit.
Më tej, Meta shton: “Ritheksohet nevoja që Qeveria dhe Kuvendi, në nisma të tilla ligjvënëse, të veprojnë në kohën e duhur, në mënyrë që t`u lihet hapësira e nevojshme të gjitha strukturave apo institucioneve për shqyrtimin e tyre”.
Qeveria kërkon të emetojë në qershor një Eurobond me vlerë deri në 650 milionë euro dhe maturim 7 deri në 10 vjet.