Gazment Bardhi, kreu i grupit të Partisë Demokratike ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ligji i profesioneve të lira ka çuar në mbylljen e qindra bizneseve.
Për Bardhin, duke iu referuar të dhënave të QKB-së, 35% e bizneseve janë mbyllur zyrtarisht, ndërkohë që mijëra kërkesa të reja janë nën përpunim ende. Për këtë, ai bën fajtor Edi Rama, duke thënë se në fillim premtoi për profesionet e lira taksa zero, por realiteti paraqitet krejt ndryshe.
Bardhi tha se taksat janë ulur vetëm për klientët e qeverisë, miqtë e Edi Ramës.
“Shqipëria duhet t’i jap fund modelit qeverisës të Edi Ramës, që diskriminon e shtyp më të pamundurin, dhe favorizon më të fortin. Qytetarët dhe bizneset kanë nevojë për një Qeveri që punon dhe kujdeset për to, që i lehtëson vështirësitë dhe i mbështet të rrisin e zhvillojnë ekonominë e tyre.
Ashtu sikurse Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike paralajmëroi kohën e miratimit të ligjit të ri, hyrja në fuqi e taksimit progresiv të profesionistëve të lirë, që arrin deri në 23 %, ka detyruar mijëra prej tyre të mbyllin aktivitetin. Sipas QKB-së, 35% e tyre janë mbyllur zyrtarisht, ndërkohë që mijëra kërkesa të reja janë nën përpunim ende.
Mbyllja e biznesit nga mijëra profesionistë të lirë është dramë e familjeve të tyre, por është edhe e dëmshme për shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Është e pafalshme që për shkak të diskriminimit të Qeverisë së Edi Ramës, mijëra familje të humbin të vetmen mundësi punësimi dhe të ardhurash për familjet e tyre.
Ndërkohë që Edi Rama premtoi për to taksa zero, realiteti paraqitet krejt ndryshe. Taksat janë ulur vetëm për klientët e qeverisë, oligarkët e miqtë e Edi Ramës, që operojnë në një regjim të lehtësuar dhe favorizues, ndërkohë që për bizneset më në nevojë, shtyhen të mbyllen apo të punojnë në kushtet e mbijetesës, si pasojë e rritjes së barrës fiskale.
Zgjidhja është: Shqipëria duhet të ndryshojë model qeverisës, të largojë Edi Ramën dhe modelin e tij të korruptuar që favorizon vetëm oligarkët dhe klientët e tij”, shkruan Bardhi.