Sali Berisha ka komentuar të premten projektligjin për shëndetin riprodhues. Berisha tha se Rama me këtë projektligj po bën krim kundër kombit shqiptar dhe po shkatërron konceptin e familjes.
“Kjo konferencë ka si objektiv kryesor të paraqesë para shqiptarëve rrezikun madhor të ligjit Rama për surrogacinë. Për transformimin e nënës shqiptare, e cila duhet t’u them këtu se pa ndershmëri, pa moral, pa integritetin e saj, ne si komb do ishim shuar jo një, por tre herë, ndoshta shekuj më parë. Dhe tani, Edi Rama me ligjin e tij zgjedh dekonfigurimin e plotë. Pasi futi konceptet e superspekulantit George Soros për “Prindin 1” dhe “Prindin 2”, tani zgjedh konceptin e fermës apo fasonerisë për nënën shqiptare. Zgjedh konceptin e dekonfigurimit të plotë të familjes. Kjo është një përpjekje jashtë çdo lloji imagjinate”, tha Berisha.
“Për Shqipërinë, ky është krim kundër njerëzimit, kundër kombit shqiptar. Rama ka mision shkatërrimin e kombit. Edi Rama kërkon me ligj të nxisë sterilizimin, në një vend ku ka tri vite që vdekjet dominojnë mbi lindjet. Kjo është përpjekje ligjore antishqiptare, që të ulë lindshmërinë në këtë vend dhe për ta shpejtuar shkatërrimin e kombit tonë. Edi Rama do me çdo kusht të kalojë ligjin e shkatërrimit të familjes shqiptare”, shtoi Berisha.