Aktualitet Lihen në burg dy efektivët që grabisnin shpërndarësit e kanabisit në Tiranë

Lihen në burg dy efektivët që grabisnin shpërndarësit e kanabisit në Tiranë

Gjykata e Tiranës ka caktuar këtë të hënë masën e sigurisë “arrest në burg” për efektivin e Policisë Bashkiake, Saimir Muzikanti dhe efektivin e Patrullës së Përgjithshme, Serxhio Cani. Ata akuzohen për “vjedhje” përmes kanosjes të qytetarëve në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë.

Dy të dyshuarit nuk kanë dhënë shpjegime në gjyq. Pas shoqërimit Muzikanti ka pranuar se u merrte para qytetarë, ndërsa Cani mban qëndrim mohues për akuzën. Përmes avokatit, 39-vjeçari Muzikanti ka pretenduar se është dhunuar nga policia dhe se ka bërë kallëzim për këtë fakt.

Cani, 23 vjeç dhe Muzikanti, 39 vjeç, u arrestuan dy ditë më parë nga Policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për vjedhje. Arrestimi i dy punonjësve të Policisë erdhi pas kallëzimit të dy qytetarëve, të cilët pretendonin se efektivët pas kontrollit i kishin marrë vlera monetare, duke i thënë se ndryshe do i shoqëronin në komisariat.

Cani dhe Muzikanti gjurmonin persona të cilët konsumonin kanabis nga zona e Liqenit Artificial, por edhe qytetarë të cilët ishin të veshur mirë.

Pasi i afroheshin me pretendimin se në kuadër të punës duhet t’i bënin kontrolle, ata i merrnin vlerat monetare që i gjenin në xhep dhe më pas largoheshin. Këto vlera shkonin deri në 5 mijë lekë të reja.

Hetimet për veprimtarinë e dy efektivëve vijon nga AMP për dokumentimin e ndonjë rasti tjetër të ngjashëm.