Gjykata e Posaçme ka lënë të pandryshuar masën “pezullim nga detyra” për ish-nënkryetarin e Bashkisë Kukës, Granit Gjana. Mësohet se Gjana ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij si prefekti i Kukësit për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i lirë.
Ai po ashtu ka deklaruar se nuk e ka shkelur asnjëherë ligjin.
“Do të vazhdoj të ndjek të gjitha procedurat ligjore, nuk kam shkelur asnjë ligj kur kam qenë nënkryetar bashkie.”
Gjana u pezullua nga detyra një ditë më parë pas nisjes së hetimeve nga SPAK për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kur mbante detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Kukësit.
Dyshohet se në cilësinë e nënkryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, Gjana ka penguar një subjekt të kualifikohet në dy procedurat e një tenderi për blerje karburanti.