Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi të lërë në burg kreun e prokurorisë së Kukësit, Edmond Kariqi i akuzuar për korrupsion.
Në qeli u la edhe shoferi i tij Isuf Gega që kishte rolin e sekserit. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura SPAK zbuloi se e kishte mbajtur nën përgjim prokurorin pas lirimit të një të arrestuari për trafik droge në nëntor të 2019-ës. Në atë kohë u vunë në pranga 4 persona, por më pas prokurori e pushoi çështjen.
Sipas prokurorisë ka përgjime telefonike dhe filmime se si prokurori mori në zyrën e tij në Kavajë 2 mijë euro nga vëllai i njërit prej të arrestuarve. Po sipas akuzës janë të dokumentuara të gjitha lëvizjet dhe kontaktet e personave të përfshirë në takime të zhvilluara, në pikën e këmbimit të parave dhe më pas në zyrën e prokurorit.
Hetuesit e SPAK thanë se kanë dyshime se prokurori ka marrë edhe shuma të tjera parash si ryshfet ndaj urdhëruan edhe kontrollet në banesën e tij. Prokurori Kariqi u arrestua 2 ditë më parë në qendër të qytetit të Kavajës. Para togave të zeza, avokati i prokurorit e mohoi akuzën dhe tha se nuk ka prova që implikonin klientin e tij, por gjykata nuk i mori parasysh.
Kariqi akuzohet për “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Për këtë rast është vendosur masa arrest me burg edhe për Emirjan Beun dhe Dritan Dedjan që akuzohen se dhanë ryshfet për të korruptuar prokurorin.