Aktualitet Lihet në burg Rrok Pepaj

Lihet në burg Rrok Pepaj

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë dhe ka lënë në burg, Rrok Pepajn me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike në bashkëpunim. Rrok Pepaj është babai i Danjel Pepajt, i cili është autori i dyshuar i vrasjes së dy të rinjve, Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj në Malësinë e Madhe.

Gjatë seancës së sotme, Rrok Pepaj ka thënë se në atë zonë ku u gjetën edhe viktimat ka kultivuar bimë medicinale dhe boronicë. Avokati mbrojtës ka kërkuar masë lehtësuese, por kjo është hedhur poshtë nga trupi gjykues.

Rrok Pepaj u arrestua disa ditë më parë, pasi policia njoftoi zyrtarisht se në vendin e quajtur “Rrenza e Grecajve”, pas 5 ditë kërkimesh u gjetën trupat e pa jetë të dy të rinjve, si dhe 29 rrënjë hashash. Sipas hetuesve, trupat e viktimave u gjetën të ndarë nga njëri-tjetri, ndërsa dyshohet se janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga 25-vjeçari Danjel Pepaj.

Nga të dhënat e deritanishme, ngjarja e rëndë dyshohet se erdhi pas një konflikti mes tre kushërinjve për vjedhjen e 50 kilogramëve kanabis, për të cilin dy viktimat akuzonin kushëririn e tyre Danjel Pepaj. Kur ky i fundit ra dakord për t’i çuar në vendin ku mendohej se kishte fshehur drogën e vjedhur, aty i ekzekutoi dy kushërinjtë e tij me armë.

Autoritetet dyshojnë se 25-vjeçari mund të jetë larguar nga Shqipëria. Për këtë arsye, policia thotë se po bashkëpunojnë edhe me homologët e vendeve fqinje, për të bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes, kapjen dhe arrestimin e tij.