Komiteti i Ekspertëve të Imunizimit ka rekomanduar vaksinën e lisë për kontaktet e afërt dhe personelin shëndetësor, në rast të shfaqjes së rasteve me linë e majmunit.
“Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit ka marrë vendim, në trajtën e një rekomandimi, për të mundësuar që për sa i përket kontakteve të afërta të rasteve, të cilat mund të diagnostikohen me linë e majmunit, të mundet të përdoret vaksina e lisë. Një vaksinë, e cila ka një efikasitet, sikurse edhe studimet tregojnë, rreth 85% për sa i përket mbrojtjes nga lia e majmunëve. Vlerësohet nga ekspertët tanë që do të jetë një sasi, e cila për këtë fazë do t’i dedikohet kontakteve shumë të afërta apo edhe personelit mjekësor, që mund të jenë në përballje këtë sëmundje”, tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Edhe pse Shqipëria është një vend me risk të ulët për sa i përket lisë së majmunit, Manastirliu theksoi se ka një survejancë të shtuar aktive.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, nënvizoi se sëmundja e lisë së majmunit ka një risk të ulët për popullatën e përgjithshme dhe vaksinimi ka efikasitet për grupet në risk.