Është zbardhur një pjesë tjetër e bisedave të zhvilluara mes anëtarëve të 4 grupeve kriminale që ushtronin veprimtarinë e trafikut të narkotikëve dhe të kalimit të paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme drejt Evropës.
Nga përgjimet e Prokurorisë, rezulton se pjesë e këtyre bandave, që vepronin si një grup i strukturuar kriminal, ka qenë edhe një grua e quajtura Miranda, bashkëshortja e Genc Bamllarit, i cili është xhaxhai i kreut të njërës prej bandave, Olgert Bamllarit.
Në komunikimin telefonik që është zbardhur më poshtë, silet biseda mes Mirandës dhe Olgertit, të cilët po diskutojnë me njëri-tjetrin, teksa gruaja e paralajmëron kreun e bandës që të mos flasë më, sepse po u përgjohen celularët.
Biseda mes tyre:
Miranda: Miranda jam
Olgert: E Miranda, çar bën? Si je?
Miranda: Hiç
Miranda: Sapo erdha nga puna dhe!
Olgert: Çarë
Miranda: Dëgjon o dëgjon, përgjohen telefonat tëra e!
Olgert: Hë?
Miranda: Edhe timin e kanë marrë, të Gencit e kanë marrë
Olgert: Po pse?
Miranda: Erdhën brenda, nuk e di. Nga telefonatat gjetën, s’kishte kallëzuar njëri…në drekë erdha.
Olgert: Erdhën në shpi
Miranda: Kontrolluan. Në shpi po…
Nga anëtarët e këtyre 4 grupeve kriminale, janë vënë në pranga 58 prej tyre, ndërsa 7 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ditën e sotme, Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë për 24 prej të arrestuarëve në kuadër të operacionit policor të koduar “Limit”. Për 21 prej të ndaluarëve është vendosur masa “arrest me burg”, ndërsa tre të tjerë: Bektash Zenelin, Fejzo Danën dhe Agron Mankën, janë lënë nën “arrest në shtëpi”.
Aktiviteti kriminal i 4 grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin. Lënda narkotike trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e tyre të trafikut të drogës.
Po ashtu, aktiviteti i tyre kriminal përfshinte edhe organizimin dhe mundësimin e kalimit të paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, që vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.
Në cilësinë e provës materiale, gjatë operacionit në Shqipëri dhe në Greqi, këtyre grupeve iu është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndriçim artificial, telefona celularë dhe disa automjete.